Editoriali:Ku po përfundojnë milionat e taksapaguesve kosovarë?! - Editoriali - Kosova Sot
°C
Editoriali:Ku po përfundojnë milionat e taksapaguesve kosovarë?!

Editoriali:Ku po përfundojnë milionat e taksapaguesve kosovarë?!

Që nga dita e parë e krijimit të kësaj Qeverie jo vetëm që nuk u vendos një standard i ri transparence ndaj publikut, por ndodhi e kundërta-u thellua edhe më tej terri informativ për veprimtarinë institucionale. Qytetarët janë të privuar nga e drejta e tyre për të ditur se çfarë bën ekzekutivi apo nivelet e tjera të pushtetit me fondet publike. Shpenzime nga më të ndryshmet, shpesh të mbuluara nga dyshime serioze për korrupsion, bëhen hapur nga një armatë zyrtarësh që e kanë mbipopulluar administratën shtetërore, kabinetet e ministrave dhe zëvendësve të tyre të panumërt. Asnjë fije transparence nuk ka për shumë tenderë që kalojnë heshtazi, ndërsa përfitues janë gjithnjë kompani e individë të afërt me kupolën e Republikës. Ndërsa fitimet e paligjshme shtohen në xhirollogaritë e oligarkëve dhe rrjeteve të tyre kriminale, institucionet kompetente për të verifikuar këtë zhvatje masive të buxhetit vetëm sodisin këtë grabitje të djersës së qytetarëve tanë. Nëse të bie të bisedosh me njerëz të punësuar në Qeveri, në sektorë të ndryshëm, mund të kuptosh nga afër se çfarë abuzimi bëhet në secilën zyrë të shtetit dhe askush nuk e hap gojën për një gjë të tillë. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) duhet të shtojë volumin e punës së saj dhe të auditojë secilin cent se ku po përfundon. Të gjitha matrapazllëqet, që i bëjnë këta pushtetarë të paturpshëm, duhet të zbardhen për opinionin publik. Ndërkohë, Kuvendi duhet t'ia shtojë kompetencat ZAP-it, në mënyrë që raportet, të cilat i bën kjo zyrë, të mos mbesin vetëm dekor, por të shërbejnë si nxitje për hetime nga organet e drejtësisë si dhe shkarkim të zyrtarëve përgjegjës. Pa e instaluar mekanizmin e ndëshkimit në organet shtetërore, ku abuzohet me paranë publike, nuk mund të disiplinohen zyrtarët që hapur po zhvatin sa po munden, duke përfituar edhe nga vullneti zero për transparencë institucionale i Qeverisë "Haradinaj".

 

(Kosova Sot)

22 orë e 40 minuta më parë
17/08/18