Editoriali:Qeveria e monopolit - Editoriali - Kosova Sot
°C
Editoriali:Qeveria e monopolit

Editoriali:Qeveria e monopolit

Refuzimi i Qeverisë për të shfuqizuar një udhëzim administrativ, që rezulton t'ia trashë edhe më shumë monopolin e homologimit të automjeteve oligarkëve kosovarë Devolli, është një tjetër dëshmi se sa shumë është i kapur ky shtet. Me gjasë, ishin të kota pritjet e shumë njerëzve se ndryshimet në kreun e ekzekutivit mund të sillnin një frymë të re qeverisëse, transparente dhe të drejtë, në shërbim të qytetarëve. Pak rëndësi ka nëse është ky apo ai lider, ky apo ai kryetar, sepse tradita e keqpërdorimeve, zhvatjes dhe mashtrimit, vazhdon me besnikërinë më të madhe. Duke e vënë Republikën në shërbim të oligarkëve të pasluftës, Kosova është shndërruar në një shtet të sunduar, të varfër, me dallime të theksuara sociale mes shumicës që nuk i përkasin më as shtresës së mesme dhe një pakice që vjel frytet e korrupsionit, klientelizmit, abuzimit me pozitën publike. Nëse ky kryeministër aktual që deri dje bërtiste "kapeni hajdutin", sot e ul kokën e hesht para monopolit skandaloz, që betonohet edhe më tej me nënshkrimin e ministrit të tij e sigurisht edhe me pëlqimin e vet, atëherë çfarë mund të pritet më nga ky pushtet?! Hapur po na vjedhin, po abuzojnë me ligjet, po shpërdorojnë fuqinë institucionale, vetëm e vetëm që të mbushin xhepat e tyre, familjarëve e klientelave që u shkojnë nga pas. Është fatkeqësi e madhe për vendin që edhe opozita duket të jetë e nënshtruar dhe nuk po ndërmerr as veprimin me të vogël që ta largojë një orë e më parë këtë qeveri hajnash nga pushteti. Duke qëndruar kaq pasive, opozita që nesër do ta kërkojë votën për të ardhur në qeveri nuk mund të fitojë besimin e askujt, prandaj nëse duan të nxisin ndryshime pozitive, duhet t'ia nisin nga dëbimi i ekzekutivit aktual. Edhe ata që e votuan këtë garniturë janë më se të bindur se ishte gabim të votohen njerëzit që vetëm po riciklohen në krye të shtetit, me mentalitetin e pandryshuar korruptiv të qeverisjes.

 

(Kosova Sot)

22 orë e 40 minuta më parë
17/08/18