Editoriali:'Win-Win'-i presidentit kosovar

  • 18 May 2018 - 17:02
Editoriali:'Win-Win'-i presidentit kosovar

Pasi e ka përçarë politikën kosovare, e ka bërë pikë e pesë opozitën dhe i ka futur në sistemin korruptiv ish-rivalët e ashpër që e sulmonin kur ishte në opozitë, Presidenti i Kosovës e ka përgatitur terrenin që t'i shkojë deri në fund sipërmarrjes -me gjasë të fundit në karrierën e tij politike. I vetmuar, lideri i 'Vetëvendosjes' do të jetë i pafuqishëm ta ndalë aventurën e radhës së "Gjarprit". Ndërkohë që letrat janë hapur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, "çuditërisht", ka heshtur Gjykata Speciale, e ngritur pas shumë presioneve, për të gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte që përmenden në raportin e Dik Martit. Ndryshimi i prokurorit kryesor e ka shtyrë publikimin e aktakuzave të para, ndërsa arsyet e vetme që po e shtyjnë veprimin e Gjykatës mund të jenë veçse politike. Njëri ndër personazhet më të lakuara në raportin famëkeq të Dik Martit është pikërisht politikani më i fuqishëm pas Rugovës në vendin tonë. Ka argumente të mjaftueshme për të dyshuar fort se pazaret e pista në prapaskenat e takimeve me Vuçiqin dhe me ndërmjetësimin e UDB-ashëve, që janë në fushatë ofensive aktualisht, mund ta çojnë Kosovën drejt një kompromisi përtej Pakos së Ahtisarit, që edhe ashtu ishte një kompromis i dhimbshëm për vendin. Por, a duhet populli i Kosovës ta pranojë një bosnjëzim të vendit, vetëm e vetëm që një lider, cilido qoftë ai, të amnistohet nga drejtësia. A duhet që për interesa puro personale vendi të paguajë një kosto, që do të rëndojë mbi breza të tërë?! Kompromisi që po përflitet do të ishte një goditje e rëndë për stabilitetin shtetëror, për sovranitetin dhe integritetin territorial. Fatkeqësisht, shteti është në duart e matrapazëve, analfabetëve e hajnave, kështu që zor se mund të presim ndonjë përmbyllje fitimtare të dialogut me Serbinë. Kjo mund të jetë një fitore individuale e një lideri të shantazhuar, por një humbje shekullore për popullin e sunduar.

 

(Kosova Sot)