Editoriali:Kuvendi, ky 'Big Brother" i shpifur politik

  • 20 May 2018 - 16:25
Editoriali:Kuvendi, ky 'Big Brother

"Ma hangsh…Mshele gojën…Ta…Balosh…Qen…", etj, etj. Më i pasur është fjalori fyes në gjuhën e parlamentarëve tanë, sesa fjalimet ku adresohet ndonjë çështje serioze. Një arsenal sharjesh e ofendimesh, është "dhurata" e deputetëve për votuesit e tyre. Kjo legjislaturë, me siguri, nëse nuk do të mbahet mend për ndonjë gjë tjetër, të paktën për banalitete, do të jetë e para në historikun e parlamentarizmit kosovar. Duke e parë përbërjen e Kuvendit, askush nuk ka pse të befasohet nga skenat që shohim në ekranet televizive, ku transmetohet drejtpërdrejt drama kuvendore si në një "reality show". Gjithfarë personash kanë hyrë aty si rrallëherë. Cilësia e përfaqësimit të sovranit kurrë nuk ka qenë më e dobët nga të gjitha aspektet. Atyre që u kujtohen legjislaturat e kaluara, me siguri e mbajnë mend se nuk ka pasur një gjuhë të tillë të ulët. Zgjedhja e deputetëve, megjithatë, nuk është e izoluar nga zhvillimet shoqërore në përgjithësi. Sa më tepër është degraduar shoqëria jonë, aq më i ndyrë është bërë edhe Parlamenti. Kosova ka dhjetëra mijëra gra e burra të zotë, që mund ta kishin vendin në ulëset e Kuvendit, por edhe kur figurojnë në lista janë vetë partitë e kriminalizuara, që ua zhvatin votën. Si rrjedhojë, zëri përfaqësues parlamentar është më i dobëti që kemi pasur ndonjëherë. Sharjet, shtyrjet, grushtimet, janë më se normale për një Kuvend të tillë, ku kanë gjetur vend kategoritë më të ulëta të shoqërisë: analfabetët, injorantët, banditët, hajnat, matrapazët, dallaveraxhinjtë, të inkriminuarit. Është e kotë të presim që këta deputetë të marrin vendime në të mirë të popullit, prandaj qytetarët do të duhej të dilnin në protesta për të kërkuar sa më parë shpërndarjen e këtij Kuvendi, që kurrë më të mos votohen ky soj kriminal politik.

 

(Kosova Sot)