Editoriali:Opozita nuk i ka seriozisht zgjedhjet!

  • 22 May 2018 - 16:58
Editoriali:Opozita nuk i ka seriozisht zgjedhjet!

Me një Qeveri që thellon monopolet, shton skandalet, vazhdon tenderomaninë korruptive, nepotizmin dhe betonon kapjen e shtetit, Kosova nuk mund të ecë përpara, por do të vendnumërojë edhe për një kohë të gjatë. Në një vend që shpreson të jetë pjesë e familjes evropiane, elita politike, si kjo e jona që sundon popullin, por nuk qeveris, nuk e kanë vendin në institucione. Sidoqoftë, demokracia ka rregullat e saj, edhe pse fjalës demokraci te ne i ka humbur kuptimi prej vitesh. Sistemi demokratik është formal, sepse në të vërtetë ka një regjim autokratik, ku një grup liderësh kontrollojnë gjithçka dhe zhvatin çka të munden pa u penguar nga drejtësia e nënshtruar dhe e shantazhuar. Por, fatkeqësia më e madhe është se as opozita nuk po paraqet alternativë dalëse nga kriza, edhe pse janë një numër solid deputetësh në kampin opozitar. Që nga përçarja e Lëvizjes "Vetëvendosje" si pasojë e daljes së deputetëve të klanit "Coca Cola Zero" zëri opozitar është edhe më i zbehtë. Edhe pse LDK-ja është subjekti më i madh parlamentar, kjo parti nuk po e merr me nguti çështjen e rënies së Qeverisë, duke shpresuar se me kalimin e disa temave të ndjeshme do të penalizohet më pak duke qenë në opozitë. Ndërkohë, edhe një tryezë e ftuar nga VV-ja, për të diskutuar zgjedhjet e parakohshme, duket se nuk do të gjejë mbështetje te spektri i gjerë politik. Kjo mosgatishmëri për zgjedhjet, dëshmon se opozita është ende e pavendosur për ta çuar vendin drejt kutive të votimit. Duke ia zgjatur jetën kësaj Qeverie të zhytur në afera, opozita po dëshmon se ngjashëm do të veprojë edhe nëse vjen në pushtet. Si rrjedhojë, nëse liberalizohen vizat sivjet, atëherë viti i ardhshëm mund ta godasë Kosovën nga një eksod i ri masiv, sepse humbja e shpresës është me pasoja afatgjata dhe të rënda. 

 

(Kosova Sot)