Editoriali:Rreziku nga bankrotimi i shtetit

  • 23 May 2018 - 17:07
Editoriali:Rreziku nga bankrotimi i shtetit

Kosova po kalon periudhën më të vështirë që nga viti 1999, kur mbi një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe regjimi serb bëri masakra nga më të përgjakshmet që prej Luftës së Dytë Botërore. Liria dhe demokracia përmbushën përkohësisht aspiratën e popullit për çlirim, sepse vendin e sunduesve të dikurshëm e zunë sundimtarët e pasluftës, të cilët në emër të luftës, prej gati dy dekadash, nuk lanë gjë pa bërë në kurrizin e qytetarëve. Trendi famëkeq i pasurimit me paranë publike, me pozitën zyrtare, është duke vazhduar me ritme edhe më tronditëse në qeverinë 'Haradinaj'. Mjafton të shihen deklarimet zyrtare të pasurisë, për t'u bindur se si e kanë keqpërdorur pushtetin shumica e politikanëve. Në mungesë të një drejtësie efikase e të guximshme, askush nuk ballafaqohet me ligjin, por amnistohet, ndërsa rastet e korrupsionit parashkruhen qëllimshëm. Për organet e ligjit, është fare e thjeshtë të sigurojnë prova të këtij abuzimi të jashtëzakonshëm të njerëzve të veshur me pushtet, por edhe të familjarëve të tyre. Mjafton të ndjekin rrugën e parasë së pajustifikueshme. Rrethi familjar e shoqëror i politikanëve të pushtetshëm mburret me jetën luksoze, me shpenzimet enorme, prandaj është fare e lehtë për një prokuror të vërë me shpatulla për muri klientelën e qeverisë. Por, organi i akuzës nuk e bën këtë, sepse është i kapur, varet nga politika dhe i përgjigjet asaj. Duke lejuar këtë zhvatje qindra milionëshe të shtetit, përmes tenderomanisë kryesisht, por edhe në forma të tjera, drejtësia po ua mundëson qeveritarëve të akomodojnë pasuritë e papara edhe jashtë Kosovës, në parajsat fiskale, që të mos i gjejë askush. Shteti ynë ende nuk ka marrë masa të ashpra kundër kësaj dukurie që do ta çojë vendin në bankrotim, nëse nuk parandalohet. Bllokada e biznesit, favorizimi i monopoleve dhe oligarkëve, janë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme. Nëse nuk do të ketë ndryshime dhe sundim të ligjit, ky vend do të bëhet i pajetueshëm!

 

(Kosova Sot)