Editoriali:Po 'Gruevskët' tanë, kur do të dënohen?!

  • 24 May 2018 - 17:18
Editoriali:Po 'Gruevskët' tanë, kur do të dënohen?!

Në Kroaci, ish-kryeministri Ivo Sanader ishte dënuar me nëntë vjet burg për korrupsion, para se ky shtet të bëhej anëtar i Bashkimit Evropian. Në Maqedoni, ishkryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim detyre në rastin e blerjen së një automjeti qeveritar në vlerë të 580 mijë eurove. Këta dy shembuj janë paralajmërim edhe për Kosovën, ku, për fat të keq, ende nuk kemi prokurorë të guximshëm që mund të hetojnë krerët politikë të inkriminuar dhe gjyqtarë të paanshëm që zbatojnë ligjin. Edhe pse tellallët ministra të pushtetit na kanë lodhur duke folur për integrimet evropiane dhe "sukseset" e Kosovës në këto procese, rezultati do të shihet vetëm kur zyrtarët e lartë, përgjegjës për afera të shumta, do të ballafaqohen me drejtësinë e do të marrin dënimin e merituar. Përderisa asnjë prokurori dhe asnjë gjykatë nuk është në gjendje qoftë edhe një politikan me ndikim ta dënojë, pavarësisht provave të bollshme, është e kotë të shpresojmë se mund të hedhim hapa seriozë drejt familjes evropiane. Drejtësia kosovare duhet të nxjerrë shembull nga kolegët në Maqedoni, të cilët, për një veturë të shtrenjtë, të blerë në mënyrë abuzive me paratë e taksapaguesve e vunë ish-kryeministrin bashkë me ish-zyrtarët e tjerë qeveritarë me shpatulla për muri. Vetëm në sferën e veturave, prokurorët kosovarë mund të ngrenë një mal me aktakuza, sepse ndër shpërdorimet e zakonshme të pushtetit, është blerja e veturave luksoze e të panevojshme. Mos të flasim për sektorët e tjerë, për tenderomaninë alarmante, që ia grabit vendit fondet publike. Organet drejtuese të sistemit gjyqësor dhe prokurorial duhet urgjentisht të përmirë- sojnë performancën e tyre që lë shumë për të dëshiruar. Prokurorët e kanë shumë të lehtë, që t'i nxjerrin në bankën e të akuzuarve pushtetarët e korruptuarmjafton ta ndjekin rrjedhën e parasë që qarkullon në duart e tyre, të miqve dhe familjarëve që bëjnë jetë sheikësh!

 

(Kosova Sot)