Editoriali:Kurti vs Haradinaj

  • 27 May 2018 - 17:31
Editoriali:Kurti vs Haradinaj

Një polemikë e shkurtër mes liderit të Lëvizjes "Vetëvendosje" dhe kryeministrit të vendit ka paralajmëruar një betejë të re politike. Duke shfrytëzuar pasivitetin e zakonshëm të LDK-së, kreu i VV-së po përpiqet të nxisë rrëzimin e Qeverisë, e cila aktualisht e ka humbur shumicën parlamentare, pasi Lista Serbe ka thënë se do të jetë opozitë derisa të formohet Asociacioni sipas marrëveshjes së Brukselit. Sidoqoftë, as Kurti, as Haradinaj nuk janë pa mëkate në përplasjen e tyre. I pari mban përgjegjësi sidomos për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Prishtinë gjatë qeverisjes afro pesëvjeçare të Shpend Ahmetit, të cilin e mbështeti në të gjitha punët e ndyta e kriminale, edhe pse ishte shumë i vetëdijshëm se po mbështeste mashën e Devollëve të inkriminuar në krye të kryeqytetit, që më vonë iu kthye kundër. Ndërsa, i dyti ia mundësoi Hashim Thaçit me shokë ta vazhdonte kapjen e shtetit në çdo aspekt. Sistemi elektoral i dobët ia mundësoi kryetarit të AAK-së që, edhe pse me pak elektorat, të marrë në dorë timonin qeveritar. Por, administrimi i deritashëm i pushtetit po dëshmon se vendi ka hyrë në një rrugë pa krye, ku shteti përfundimisht është shndërruar në një plaçkë të politikanëve të tejinkriminuar. Për shumëkënd zgjedhjet mund të mos duken si një zgjidhje, megjithatë, çdo zgjidhje është më e mirë sesa kjo garniturë e pangopur dhe kriminale në pushtet. Pas ndarjes së VV-së dhe dezertimit të Devollistëve të prirë nga Shpend Ahmeti me shokë, skena politike ka pësuar një ndryshim, por është sovrani ai që e përcakton me votën e tij preferencën për partitë. Është mirë që qytetarët ta kenë sa më shpejt mundësinë për të zgjedhur mes Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Fatmir Limajt, Isa Mustafës, Albin Kurtit ose eventualisht një alternative të re që mund të dalë në sipërfaqe. Kjo Qeveri, e cila në fakt nuk ka qenë kurrë legjitime, tani e ka humbur edhe legalitetin e saj, sepse asnjë vendim nuk e merr dot pa votat e opozitës. Për të mos lejuar që deputetë marioneta, si grupi i klanit "Coca- Cola Zero", të trafikohen, për qëllime biznesi kriminal në Kuvend, duhet sa më parë që kjo legjislaturë të shpërndahet. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri po ua përkeqësojnë jetën qytetarëve tanë. Nëse kryeministri është kaq i bindur se po punon si duhet, le të dalë në një debat televiziv me liderin "e papunë" të opozitës. Si njëri, ashtu edhe tjetri, së pari duhet t'u kërkojnë falje qytetarëve, për demagogjinë e tyre politike, për kauzat dhe premtimet e rrejshme të cilën gjë e kanë kuptuar edhe votuesit e mashtruar.

 

 

(Kosova Sot)