Editoriali:"Peshqit" në liri

  • 29 May 2018 - 17:07
Editoriali:

Brenda një dite, sistemi i drejtësisë këndej dhe andej kufirit prodhoi dy lajme të pritura për opinionin publik. Këtu te ne, pas një procesi gjyqësor, u shpall i pafajshëm ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, edhe pse ishin raportuar fakte komprometuese për rastin e tij. Ndërsa në Shqipëri, ish-ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti, Saimir Tahiri u la i lirë nga Gjykata, edhe pse kishte prova të shumta për inkriminimin e tij në trafikun e drogës. Lirimi i tij erdhi pas deklaratave të ambasadorit amerikan se kishte informacion që po tentohej blerja e gjyqtarëve që do të vendosnin për fatin e Tahirit. Shqiptarët po shpresojnë se rruga e integrimeve evropiane mund të sjellë edhe një drejtësi të vërtetë, si detyrim në proceset e nisura, por duket se ky është një mision gati i pamundur. Kosova po pret liberalizimin e vizave, ndërsa Shqipëria është në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim. Çfarë mund të presim tash nga Brukseli?! Evropianët mund ta mbyllin njërin sy, por nuk mund të bëhen si të verbër para këtij debakli të drejtësisë. Në mungesë të një Gjyqësori efikas dhe të një Prokurorie të guximshme, fati i "peshqve të mëdhenj" ka mbetur në atë që konsiderohet si gjyq publik, por që nuk ka vlerë ligjore. Problemi si këtu, edhe në Shqipëri, është thuajse identik. Kur bien kokat e krimit të organizuar dhe korrupsionit në rrjetën e drejtësisë, ata kërcënojnë edhe të tjerët, duke filluar nga shefat e tyre. Saimir Tahiri e kishte shef Edi Ramën. Sali Mekaj e kishte shef Enver Pecin. Zinxhiri mafioz në sistemin shtetëror është i frikshëm dhe aktualisht është zor të presim qoftë edhe një proces objekti gjyqësor. Këto dy raste të kësaj të hëne duhet të na bindin se sa larg jemi në rrugën drejt familjes evropiane, ku shembuj të tillë do ta merrnin përgjigjen brenda ditës. Fatkeqësisht, aq keq jemi katandisur si shtete, sa protagonistët e aferave mund të shndërrohen në heronj!

 

(Kosova Sot)