Editoriali:Rezoluta koti të një Kuvendi qesharak

  • 31 May 2018 - 17:06
Editoriali:Rezoluta koti të një Kuvendi qesharak

Kjo legjislaturë, sa herë mbahen seanca, të bind gjithnjë e më shumë se është më e dobëta që kemi pasur ndonjëherë. Shumica e deputetëve, as dinë të flasin, as dinë si të votojnë për çështje të caktuara. Kështu, edhe dje, kur u votuan dy rezoluta të propozuara nga deputetët e dezertuar nga VV-ja, tash nën logon e PSD-së të nxjerrë nga arkivi i politikës së kaluar, Kuvendi dëshmoi se nuk ka lidhje me misionin e tij kushtetues, ligjor, demokratik e përfaqësues. Deputetët i duartrokitën vetes për dy rezoluta të kota, njëra për heqjen e kontrolleve kufitare mes Kosovës e Shqipërisë dhe tjetra për heqjen e roamingut mes dy vendeve. Çfarë vlere kanë këto rezoluta, nëse edhe Shqipëria nuk ka të njëjtin qëndrim?! Asnjë zë nga autoritetet shqiptare deri më tash! Lëvizja e lirë është e domosdoshme, ndërsa heqja e tarifave roaming e mirëseardhur, por sa i bëjnë të realizueshme këto rezoluta qëllimet e parashtruara e të votuara nga deputetët kosovarë? Po t'i pyesësh, sigurisht se nuk e dinë. Nuk është hera e parë që ligjvënësit tanë votojnë në favor të një rezolute, vendimi a emërimi, thjesht në mënyrë euforike, për inerci apo të shtyrë nga interesa të ngushta. Deputetët duhet ta dinë se edhe përpjekjet e kësaj Qeverie aktuale për forcim të marrëdhënieve me Shqipërinë, sidomos në rrafshin ekonomik, kanë dështuar. Plot kërkesa janë në zyrat e qeveritarëve të Tiranës, të adresuara nga ekzekutivi kosovar, por asnjëra nuk ka marrë përgjigje pozitive. Edhe mbledhjet e famshme të përbashkëta të qeverive nuk kanë nxjerrë gjë në dritë. Mund ta marrim me mend se çfarë fati do të kenë edhe këto rezolutat parlamentare, që e ngrenë nivelin e kërkesave, duke prekur edhe në rrafshin ekonomik, ku oligarkët këndej e andej kufirit kanë përfitime miliardëshe. Kuvendi duhet më në fund të mësohet, që të mos shesë popullizëm, por të punojë për të mirën e qytetarëve e të marrë vendime që ua përmirësojnë jetën atyre.

 

(Kosova Sot)