Editoriali:Hetojeni skandalin 53 milionësh!

  • 06 June 2018 - 17:01
Editoriali:Hetojeni skandalin 53 milionësh!

Pagesa e 53 milionë eurove për kompaninë "Bechtel Enka", e cila nga paratë e taksapaguesve kosovarë ka marrë përafërsisht përmes dy projekteve të mëdha infrastrukturore gati një buxhet të tërë vjetor të Kosovës nuk mund të kalojë në heshtje, me një vendim të zakonshëm Qeverie. Garnitura aktuale në pushtet po e fajëson ish-Qeverinë "Mustafa" dhe po e justifikon nxitimin e saj për të paguar shpenzimet shtesë të kompanisë, me shmangien e një procesi arbitrazhi. Megjithatë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi konkrete, sepse bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro. Në asnjë rast, nuk është raportuar nga Qeveria e kaluar se ka probleme sa u përket pagesave për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Qeveritarët apo ish-qeveritarët nuk mund ta kalojnë kaq lehtë këtë faturë të shtrenjtë, që po paguhet mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Kuvendi duhet të thërrasë interpelancë dhe të debatojë për këtë rast skandaloz, ku dyshimet janë të ligjshme, se mund të ketë një zhvatje të radhës, siç janë mësuar pushtetarët tanë të bëjnë vazhdimisht. Drejtësia, ndërkohë, nuk duhet të rrijë fjetur, por të aktivizohet, sepse pikërisht ky është njëri nga ato rastet e mëdha, me të cilat duhet të merret. Zyrtarët shtetërorë duhet të vetëdijësohen përmes forcës së ligjit, se ashtu siç mezi presin t'i shfrytëzojnë dhe t'i shtojnë privilegjet për vete, nuk mund t'u bëjnë bisht detyrave ligjore, kushtetuese dhe përgjegjësive menaxhuese që kanë në pozitat e ndryshme. Askush nuk pranon ta marrë përsipër përgjegjësinë për dëmtimin e arkës së shtetit me 53 milionë euro, por secili zyrtar apo ish- zyrtar, duhet të ballafaqohet me ligjin e të dalë e vërteta në shesh. Kjo që po ndodh në rastin e "Bechtel-Enkas" është qartazi, edhe një zhvatje gjigande e buxhetit modest të Republikës sonë. Në një kohë kur nuk kemi as barnat e Listës esenciale për pacientët në nevojë, taksapaguesi i varfër e i munduar i këtij vendi duhet t'ia shtojë konton kompanisë kontraktore të autostradave edhe për 53 milionë euro! Turp.

 

 

(Kosova Sot)