Editoriali:Makiazh legjislativ

  • 07 June 2018 - 16:56
Editoriali:Makiazh legjislativ

Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për Kodin e Ri Penal, duke bërë ndryshime në të vjetrin, që sipas qeveritarëve do të ashpërsojnë masat ligjore kundër keqpërdorimit të buxhetit, korrupsionit dhe krimit në përgjithësi. Edhe pse Qeveria mundohet gjithnjë ta fshehë të vërtetën, në rastin e Kodit, si në plot shembuj të tjerë, qëllimi nuk është luftimi i korrupsionit, por makiazhi legjislativ, që në rastin e përmendur është edhe pjesë e kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave. Kosova, problem kryesor nuk e ka te mungesa e ligjeve të mira, por te zbatimi i tyre nga organet përkatëse. Pohimet e kryetarit të Gjykatës së Apelit se që nga policia, prokuroria dhe gjykatat ka mungesë të theksuar profesionalizmi, në rastet e aferave korruptive, tregon shumë për realitetin juridiko-politik në vendin tonë. Pra, sado që të ndryshojë Kodi Penal apo ligjet e tjera, është e njëjta konjukturë në polici, në gjykata e në prokurori, e cila do të dështojë me zbatimin e këtyre masave të reja ligjore, për arsyen e thjeshtë, se janë institucione të kapura nga nëntoka kriminale dhe politika sunduese. Edhe me kornizën aktuale ligjore janë të gjitha mundësitë për një hetues, prokuror, gjyqtar, që të vërë me shpatulla për muri qoftë edhe "peshqit e mëdhenj". Një gjë e tillë as që paramendohet të ndodhë, për sa kohë sistemi i drejtësisë mbetet vasal dhe në shërbim të mafio-politikës kosovare. Prokurorët e kanë të thjeshtë të nxjerrin në bankën e të akuzuarve edhe politikanët e nivelit të lartë, të cilët gjithnjë shpëtojnë pa ndëshkime, kur përfshihen në ndonjë proces gjyqësor. Mjafton të ndjekin rrjedhën e parasë dhe mënyrën se si kanë marrë e kanë imponuar vendime, që kanë prekur fondet publike, tenderët, emërimet etj. Është e kotë të gënjehet publiku se tash me ndryshimet e bëra në Kodin Penal do të fitohet lufta kundër korrupsionit. Kjo betejë do të ketë përfundimin e pritur, kur shteti do të shkapet dhe ligji do të sundojë si në vendet e BE-së, ku aspirojmë një ditë të jemi edhe ne. 

 

(Kosova Sot)