Editoriali:Turi…i qejfit - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Turi…i qejfit

Editoriali:Turi…i qejfit

Parlamentarët kosovarë, të prirë nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, janë nisur në një tur goxha serioz, sipas tyre, për të lobuar që të ndodhë sa më parë liberalizimi i vizave edhe për qytetarët tanë. Për disa ditë, përfaqësuesit e popullit do të "lodhen" duke kërkuar nga zyrtarët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që mos ta mbajnë më në izolim shtetin tonë. Gjatë kësaj shëtitjeje turistike, me siguri do të ketë edhe shpenzime të konsiderueshme të fondeve publike. Por, sa është e nevojshme një sipërmarrje e tillë politike nga parlamentarët kosovarë? Liberalizimi i vizave vërtet që vendoset në Bruksel, përmes mekanizmave përkatës, që është një procedurë e komplikuar dhe jo aq e thjeshtë, sa tentojnë shpesh ta paraqesin ekspertët e qeverisë dhe liderët e paditur, por në anën tjetër kriteret përmbushen në Kosovë dhe janë fare të qarta. Në fakt, kushti kryesor mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit, por shteti ynë këtu rezulton të ketë dështuar, sepse vendimet e drejtësisë dhe sjellja e qeverisë janë aq të padenja dhe joligjore, saqë i detyrojnë zyrtarët e BE-së që të reflektojnë në këtë moment të rëndë- sishëm kur pritet të jepet drita jeshile për vizat. Si për rastësi, në ditën kur nis turi parlamentar i Kosovës nëpër Evropë, në vendlindje kthehet pa i hyrë "ferrë në këmbë" Xhabir Zharku, një eksponent i PDK-së, ish-kryetar komune në Kaçanik, i dënuar nga gjykata për krime, por që nuk e ka vuajtur as edhe një ditë dënimi! Kosova do të jetë shumë me fat nëse e merr së shpejti lajmin për liberalizimin e vizave, por edhe nëse ndodh kjo ngjarje e shumëpritur, arsyeja e vërtetë do të jenë qytetarët e stërlodhur të këtij vendi e jo institucionet dhe klasa politike e dështuar totalisht së bashku me drejtësinë jofunksionale, të degraduar e të korruptuar deri në fyt!

 

(Kosova Sot)

8 orë e 24 minuta më parë
17/10/18