Një fundjavë... historike - Editoriali - Kosova Sot
Një fundjavë... historike

Një fundjavë... historike

E shtuna që lamë pas ishte e kobshme për yllin e futbollit, Fadil Vokrri. Zemra e tij pushoi së rrahuri, duke prekur thellë miliona njerëz që e njohën, e shijuan mjeshtërinë e tij, por jo vetëm. Futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave ishte një njeri modest, pavarësisht sukseseve që arriti. Ai bëri për Kosovën atë që nuk do ta bënin dot politikanët në pushtet. Falë lidershipit të Fadil Vokrrit, reputacionit të tij ndërkombëtar, vendi ynë sot është pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, e ka kombëtaren e futbollit dhe merr pjesë në garat ndërkombëtare, e barabartë me shtetet e tjera. Ai mbetet modeli më i mirë i një sportisti cilësor, që nuk e harroi asnjëherë se çfarë përfaqësonte dhe nuk e ka përzier sportin me politikën. Vokrri entuziazmoi spordashësit, pavarësisht kombësisë së tyre, sepse ishte një talent i rrallë në botën e futbollit. Ai ka lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, që do t'u shërbejë brezave të tërë të futbollistëve. Përderisa shteti ndan fonde për liderë të caktuar, që t'u bëhen libra biografikë, nuk do të duhej të kursehej asgjë që të shkruhej një vepër për Fadil Vokrrin, që edhe bota ta dijë çfarë njeriu dhe sportisti të madh kishte Kosova. Të dielën, ditë zie e shpallur nga Presidenti, Vokrrit iu dha lamtumira e fundit nga personalitete të shumta dhe mijëra qytetarë. Po këtë të diel ishte edhe 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ngjarje e rëndësishme historike, që do të kalonte nën hijen e ndarjes së papritur nga jeta të kryetarit të Federatës së Futbollit, po të mos ndodhin disa skandale protokollare në Prizren. Institucionet tona sërish dëshmuan se nuk janë aftësuar dhe nuk kanë nxjerrë mësim nga skandalet e herëpashershme që u kanë ndodhur më herët. Kryeministri u shfaq si roje e sigurisë duke larguar një grua nga foltorja, kurse kryeparlamentari luajti rolin e stafit teknik, duke ia ndezur mikrofonin. Për ta vulosur gafën protokollare, edhe pse ditë zie kombëtare, u interpretua muzikë festive. Një fundjavë vërtet…historike! 

(Kosova Sot)

1 orë e 16 minuta më parë
21/06/18