Çfarë po presim më?! - Editoriali - Kosova Sot
Çfarë po presim më?!

Çfarë po presim më?!

Se çfarë Gjykate Kushtetuese kemi e dëshmon edhe njoftimi i radhës, që i jep të drejtë qeverisë në dyfishimin e pagave, përmes një vendimi të mëhershëm, të cilin Agjencia Antikorrupsion e kishte vlerësuar si një konflikt të pastër interesi, në bazë të ligjeve në fuqi. Megjithatë, shumica e anëtarëve të gjykatës më të lartë në vend duket se kanë vendosur të shohin më mirë konton e vet bankare sesa paligjshmërinë dhe jolegjitimitetin e një vendimi arbitrar dhe arrogant njëkohë- sisht. Rritja e pagave nga qeveritarët ka efekte të menjëhershme edhe te sektori i drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Kështu pra pushteti po ia legalizon vetes rrogat dy mijë e tre mijë euro, ndërsa shumica e qytetarëve kosovarë mezi ngopen me bukë, me dy-tre qind euro të ardhura mujore. A ju kujtohet kryeministri aktual, kur në fushatë premtonte se do t'ua bënte rrogën qytetarëve 1000 euro? E po, me sa shihet, ai e ka pasur fjalën për rojet e shoferët e vet, por jo edhe për popullin e varfër. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që mbështet Qeverinë në aventurën e saj të radhës me kosto financiare, Republika më e varfër e Ballkanit renditet e dyta afër Sllovenisë për nga niveli i pagave të zyrtarëve të lartë publikë. Ky abuzim i pushtetit na dëshmon edhe një herë se në çfarë mjerimi institucional jemi duke jetuar dhe sa të padrejtë e të paarsyeshëm janë qeveritarët kosovarë. Gjithashtu, ky vendim për dyfishimin e pagave të qeveritarëve duhet të na bindë se me këtë soj politikanësh ky vend nuk ka për të ecur përpara, por do të pësojë regres. Kosova ka vërtet nevojë për rritje pagash të arsimtarëve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, nëpunësve, por jo për t'ua trashur xhepin, edhe ashtu të fryrë shumë, oligarkëve në pushtet. Kjo që po bën kjo garniturë sundimtarësh është vërtet e turpshme dhe vetëm një popull si ky yni mund të durojë ende, e nuk del të mbushë rrugët e sheshet, të protestojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie të dështuar.

(Kosova Sot)

1 orë e 21 minuta më parë
21/06/18