Kosova, në zgjedhën e oligarkëve

  • 14 June 2018 - 17:12
Kosova, në zgjedhën e oligarkëve
Edhe pse formalisht jemi një vend demokratik, me sistem parlamentar, Kosova mbetet shtet autoritar, me tendenca të qarta drejt një zgjedhe të re oligarkike. Për fatet e kosovarëve, vendoset në rrethe të ngushta liderësh, ndërsa zakonisht vendimet merren për interesin e ngushtë të sundimtarëve të vendit. Pavarësisht ndarjes së pushteteve që e garanton Kushtetuta, në fakt asgjë nuk funksionon e tillë dhe e pavarur, apo në përputhje me ligjin. Edhe pse mund të jenë rivalë politikë dhe në sytë e opinionit të gjerë shihen si armiq, përtej fasadës, oligarkët janë partnerë në sipërmarrjen e tyre kriminale të administrimit të Republikës. Gjithçka është në duart e tyre, duke na kujtuar kështu atë që e thotë edhe ishkongresmeni amerikan, Dioguardi - oligarkinë ruse. Metodat e njëjta po aplikohen në Kosovë. Liderët vetëm ndërrojnë pozitat me njëri-tjetrin, por mbesin gjithnjë në pushtet, prej gati dy dekadash. Pasuria e tyre në deklarimet zyrtare mund të jetë vetëm Maja e Ajsbergut, sepse në fakt është e qartë se politikanët kryesorë e kanë ndërtuar një perandori financiare, ndërsa dyshohet se shuma të mëdha kanë përfunduar në parajsat fiskale, atje ku të gjithë sundimtarët i fshehin zakonisht miliardat e tyre. Në mungesë të një drejtësie të guximshme, sundimi i oligarkëve pritet të vazhdojë edhe disa vjet së paku, por një ditë, është e sigurt, qytetarët nuk do të durojnë më. Në tryezat e njerëzve ka gjithnjë e më pak ushqim, ndërsa në xhepat e politikanëve ka më shumë miliona! Ky hendek i thellë social, i krijuar falë kësaj elite të korruptuar pushtetare, një ditë do të bëhet aq i thellë, saqë brenda tij do të bien vetë ata që e krijuan. Kjo bombë sociale, e kurdisur nga vetë oligarkët, do të shpërthejë, ndërsa pasojat mund të jenë të rënda për të gjithë. Por, në fund, pasuria e paligjshme patjetër që duhet t'u kthehet qytetarëve të Kosovës, të stërlodhur nga ky sundim i pamëshirshëm politik!