Prishtina, në duart e një kryetari dështak

  • 19 June 2018 - 16:58
Prishtina, në duart e një kryetari dështak
Të jesh menaxher i mirë, në krye të një administrate komunale, do të thotë që ta vësh atë dhe fondet publike në dispozicion të qytetarëve. Por, sa po arrin ta bëjë këtë kryetari i rizgjedhur i kryeqytetit, Shpend Ahmeti? Raporti Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm ka konstatuar se vitin e kaluar Komuna e Prishtinës mezi ka shpenzuar gjysmën e investimeve kapitale, që në total kapnin shifrën 33 milionë euro. Pra, gjysma e investimeve dështuan, sepse menaxhimi kuptohet që ishte tepër i dobët. Ky është një debakël për të parin e kryeqytetit dhe një fatkeqësi për njerëzit që jetojnë në Prishtinë, ku nevojat janë të jashtëzakonshme. Kryeqyteti nuk ka çerdhe as shkolla të mjaftueshme, nuk ka parqe as stadiume, ka një infrastrukturë të dobët, ndërsa komunikacioni është një katastrofë e vërtetë. Ka pasur hapësirë të mjaftueshme që investimet kapitale të mos përgjysmoheshin. Në vend që të shtohen, ato në fakt po bien dhe kjo është përgjegjësi drejtpërdrejt e kryetarit, të njohur tashmë për dembelizmin, demagogjinë dhe populizmin e tij. Prishtinës i duhet një lider që së pari është punëtor dhe i përkushtuar, e do qytetin dhe sakrifikohet për të. Ajo që bën Ahmeti me klanin e tij është mbushja e gushës për vete dhe klientelën e tij, duke ua rënduar kështu jetën jo vetëm qytetarëve, por edhe bizneseve që kushtëzohen, shantazhohen, dëmtohen, për shkak të keqqeverisjes komunale. Duket qartë se edhe mënyra se si planifikohen investimet kapitale ndërlidhet me aferat korruptive. Aty ku jahtistët llogarisin se mund të zhvatin, aty edhe nuk përtojnë t'i ndajnë fondet, por në rast se nuk e kanë rrjetin e tyre të krimit, atëherë më mirë nuk investojnë. Këtë maskaradë kriminale e bëjnë me paratë e taksapaguesve, pa u druajtur se do t'i hetojë ndokush, sepse edhe drejtësia është kapur nga këto grupe politike mafioze, që e kanë marrë peng Prishtinën, ashtu siç po e mbajnë edhe tërë Kosovën.

(Kosova Sot)