Presidenti shpërfill Kuvendin për finalen me Serbinë

  • 20 June 2018 - 16:58
Presidenti shpërfill Kuvendin për finalen me Serbinë
Kreu i Republikës duket se nuk e ka ndërmend të presë ecurinë e tryezave partiake dhe zvarritjet parlamentare, por do të procedojë me agjendën e përcaktuar tashmë në fazën finale të dialogut me Serbinë. Presidentit kosovar po i ngutet të ndërmarrë edhe një aventurë të re "historike", në procesin e Brukselit, duke mos u marrë shumë me skenën politike vendore, ku qartazi nuk e ka mbështetjen e duhur. Por, edhe pse nuk e ka përkrahjen e deputetëve, ai ka arritur të përçajë në masë të madhe opozitën, duke e zbehur rezistencën e tyre. Mjafton të përmendim heshtjen opozitare me rastin e caktimit të takimit të radhës Thaçi-Vuçiq më 24 qershor, për ta pasur më të qartë skenarin që po zbatohet tashmë nga presidenti i Kosovës. Nëse partitë e opozitës e kanë seriozisht që të mos e lejojnë Thaçin që ta udhëheqë fazën finale të bisedimeve me Serbinë, atëherë do të mbanin konferenca urgjente për media, do të shpalosnin planet dhe aksionin e tyre politik që ta parandalojnë bosnjezimin e Kosovës, që është në mendjen e presidentit. Një Kuvend normal do ta pezullonte çdo takim tjetër Kosovë-Serbi, derisa të qartë- sohet strategjia e dialogut, e cila është kthyer mbrapsht në qeveri, për shkak të joseriozitetit të treguar nga ekzekutivi. Shpërfillja e Kuvendit nga Thaçi është skandaloze dhe e rrezikshme për demokracinë kosovare. Nga ana tjetër, ndërkombëtarëve nuk u bën shumë përshtypje, sepse ata shohin te kreu i shtetit tonë aktorin oportunist, që do të shkelë sërish mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, që të fitojë ndonjë kredit aq të nevojshëm për të, si potencialisht i akuzuar nga Gjykata Speciale. Nëse politika kosovare do ta lejojë marrëzinë e presidentit tashmë të shantazhuar, kjo do të jetë një goditje me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e Republikës. Prandaj, Kuvendi do të duhej të mbante seancë të shpejtë, për t'u zgjuar nga gjumi dhe për ta ndalur aventurën presidenciale.

(Kosova Sot)