Diplomacia e oligarkëve na kthen prapa

  • 21 June 2018 - 16:54
Diplomacia e oligarkëve na kthen prapa
Në vend që diplomacia kosovare të sigurojë njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, lajmet që na vijnë tregojnë për tërheqje njohjesh dhe zmbrapsje nga ndërkombëtarizimi i Kosovës. Serbia njoftoi dje për tërheqjen e njohjes nga Liberia, ndërsa më pas ministri i Jashtëm e përgënjeshtroi. Kjo nuk është hera e parë gjatë këtyre muajve të Qeverisë në pushtet që mbërrijnë njoftime për tërheqje njohjesh, ndërsa që në fillim të mandatit të këtij ekzekutivi Kosova u tërhoq krejtësisht nga aplikimi për anë- tarësim në UNESCO dhe në Interpol. Me udhëheqjen e MPJ-së, nga një parti e cila as pragun elektoral nuk e kalonte dot e vetme, diplomacia kosovare është degraduar edhe më tej. Shërbimi i jashtëm është kryesisht diletant, partiak dhe i padobishëm për të promovuar si duhet Republikën e Kosovës. Transparenca mungon krejtësisht, kurse ambasadorët thjesht marrin rrogën edhe asgjë më shumë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike kanë shërbyer si strehë e punësimeve pa kriter, avancimeve pa merita, duke u bërë arenë pazaresh mes partive. Si rrjedhojë, nuk është aspak për t'u befasuar nëse një shtet e tërheq njohjen apo dështojnë procese të rëndësishme lobuese. Për të qenë situata më e rëndë, kjo diplomaci, në vend që të jetë në shërbim të interesave shtetërore, të përmirësimit të imazhit të shtetit, të shtimit të lidhjeve ndërkombëtare, është vënë në funksion të ndonjë individi ose grupeve të caktuara, për interesa të ngushta. Shembulli më i freskët është mobilizimi diplomatik për ta promovuar në çdo cep të botës një libër vetëlavdërues të presidentit të Kosovës. Po të ishte ndonjë krijues i talentuar kosovar, natyrisht që do t'i mbylleshin dyert e nuk do të merrte kurrfarë mbështetje, por në rastin e liderëve autoritarë, që të kujtojnë regjimin monist, shteti i vë në dispozicion tërë logjistikën dhe kapacitetet njerëzore. Kosovës i duhet një reformë e thellë në shërbimin e jashtëm. 

(Kosova Sot)