Asnjë shenjë ndryshimi në politikën e inkriminuar kosovare

  • 25 June 2018 - 17:01
Asnjë shenjë ndryshimi në politikën e inkriminuar kosovare
Kosovarët po presin në ankth një përgjigje pozitive nga Brukseli për liberalizimin e vizave, ndërsa, në anën tjetër, partitë në pushtet, bashkë me ato në opozitë, mbeten jokredibile dhe me një nivel të lartë inkriminimi. Asnjëri prej subjekteve nuk ka arritur të shfaqet i besueshëm për qytetarët, të cilët më kot presin ndryshime pozitive në udhëheqjen e shtetit. Republika është në duart e bandave politike, ndërsa kapja e drejtë- sisë ua jep mundësinë kriminelëve të veshur me kostumin e politikanit të shtojnë milionat e të mos kenë asnjë pasojë ligjore. Nëse shohim të ashtuquajturat "zgjedhje të brendshme" në strukturat e ndryshme partiake, vërehet qartë se vazhdon dominimi i oligarkëve, të pakonkurrencë, ndërsa ata që i rrethojnë janë servilët, militantët, klientela korruptive. Si rrjedhojë, asnjë parti nuk po arrin ta bëjë ndryshimin deri tash, duke i dëshpëruar kështu njerëzit, që më kot mund të kenë ushqyer ndonjë fije shprese. Në këto rrethana, edhe liberalizimi i vizave do të shihet jo si mundësi për lëvizje të lirë, por si shans për të ikur nga shteti i sunduar. Askush nuk do të dëshironte t'i linte fëmijët e tij në një vend si Kosova, ku edukimi, shëndetësia, drejtësia, punësimi, janë një dështim skandaloz. Edhe pa ndodhur fare liberalizimi, janë të paktën mbi dyqind mijë kosovarë që e kanë lëshuar vendin, në kërkim të një jete më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Një eksod i ri mund ta kërcënojë Kosovën, për shkak të regjimit të egër autokratik. Ky lidership në pushtet është i verbuar nga etja për para dhe bën çdo gjë vetëm për përfitime personale. Derisa oligarkët kosovarë të vazhdojnë ta sundojnë Republikën, shpresa për ndryshime do të jetë e zbehtë. Ndryshimet do të duhej të fillonin nga partitë, por deri tash nuk shihet as shenja më e vogël! Pa një politikë ndryshe, nuk ka as qeverisje ndryshe, por vetëm korrupsion dhe kapje të shtetit!

(Kosova Sot)