Mos kini frikë nga shqiponja

  • 27 June 2018 - 16:55
Mos kini frikë nga shqiponja
"MOS KINI FRIKË NGA SHQIPONJA" është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, dy futbollistëve me origjinë nga Kosova, që shënuan për Zvicrën në ndeshjen e grupit kundër Serbisë në Kampionatin Botëror të Futbollit që po mbahet në Rusi. Kjo nismë është pa dyshim simbolike, sepse për yjet e futbollit, të cilët kushtojnë miliona euro, gjoba dhjetëra-mijëra franga është lehtësisht e përballueshme. Në fakt, nisma konkrete duhej të orientohej për ta kundërshtuar vendimin e pakuptimtë të FIFA-s, që me gjasë e mori për të qetësuar Federatën serbe dhe Serbinë, e acaruar më tepër nga festa allashqiptarçe, sesa nga humbja që mund t'i kushtojë me eliminim nga botërori. Festa me një simbol kombëtar nuk përbën asnjë lloj provokimi apo diskriminimi, ndërsa përdorimi i simbolit me tre gishta nga serbët, ky po që është provokim dhe nxitje tensionesh. Gjithsesi, gjestet e Shaqirit dhe Xhakës na kanë entuziazmuar të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, dhe loja e tyre tejkaloi përmasat e një ndeshjeje futbolli. Por, megjithatë, nuk duhet të harrojmë se talentet nga Kosova luajnë për ngjyrat e Zvicrës, atje ku edhe e kanë ndërtuar karrierën e tyre. Solidarizimit pas ndëshkimit nga FIFA iu bashkëngjitën edhe politikanët, por këta të fundit janë përgjegjësit kryesorë pse sot talentet shqiptare nuk kanë as ku të ushtrojnë! Derisa emra si Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri e ngrenë aq lart imazhin edhe të Kosovës, edhe të shqiponjës në botë, janë këta politikanë në Kosovë e në Shqipëri që e nxijnë atë. Në vend që të bëjnë marketing politik, është më mirë që të qeverisin si duhet, të mos e vjedhin buxhetin dhe të krijojnë kushte më të mira për të rinjtë, për sportistët, për mijëra talente në disiplina të ndryshme, që, në pamundësi të zhvillimit të tyre, detyrohen të ikin dhe me rezultatet që tregojnë t'i shënojnë emrat e shteteve të tjera në listën e sukseseve më të mëdha botërore.

(Kosova Sot)