Sovrani të vendosë për marrëveshjen historike

  • 28 June 2018 - 16:57
Sovrani të vendosë për marrëveshjen historike
Presidenti i Serbisë ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta nxjerrë në referendum dhe do të jetë sovrani ai që do t'i japë vulën përfundimtare dialogut me Kosovën. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për marrëveshjen historike në shtetin fqinj po i delegohet popullit. Por, cila është situata në Republikën tonë, e komanduar thuajse nga një njeri i vetëm - homologu i Vuçiqit. Presidenti kosovar shkon i vetëm në bisedime, pa letra, pa përfillur askënd në vendin e tij. Gjatë tërë procesit, ai kurrë nuk e ka përmendur mundësinë që qytetarëve t'u jepet një mundësi, siç është referendum, për të vendosur në lidhje me marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e sundimit të gjatë të tij, Hashim Thaçit nuk do t'i konvenonte aspak shprehja e vullnetit të sovranit për dialogun e udhëhequr prej tij. Ai e ka të qartë se aventura e tij politike, që mund ta çojë Kosovën drejt bosnjizimit, do të merrte ndëshkimin e merituar në një votim popullor. Për këtë arsye, kreu i Republikës me klanin e tij kriminal, që sundon çdo pore të shtetit, është përkujdesur që assesi të mos e lejojë mundësinë ligjore të mbajtjes së referendumit për marrëveshjen eventuale KosovëSerbi. Por, nëse duam të jemi të barabartë në këtë dialog, të paktën në fund të këtij procesi të zhdrejtë, qytetarëve kosovarë do të duhej t'u jepej mundësia ashtu siç po paralajmërohet në Serbi. Kjo do të ishte edhe në të mirën e vetë liderit sundimtar që injoron Kuvendin, injoron sovranin dhe vendos vetë për gjithçka. Por, ai e di mirë se shansi i fundit për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, të paktën nga ndëshkimi, është edhe një kompromis me Serbinë, kuptohet në kurriz të popullit të Kosovës. A do ta bëjë këtë? Kjo varet nga reagimi qytetar së pari, sepse nëse i varim shpresat te kjo opozitë e përçarë, e pasigurt, e pavendosur, e korruptuar nga pushteti, e kotë që të presim ndonjë rezultat pozitiv.

(Kosova Sot)