Zbritja e Presidentit

  • 30 June 2018 - 17:17
Zbritja e Presidentit
Me Kushtetutë, kreu i Republikës duhet t'i drejtohet një herë në vit Kuvendit të Kosovës, që e ka zgjedhur, por ndaj Qeverisë nuk ka asnjë detyrim ligjor e kushtetues. Duke qenë pozita më e lartë shtetërore, raportimi në ekzekutiv i presidentit është i palogjikshëm, i panatyrshëm, por edhe i rrezikshëm për precedentin që e krijoi. Në asnjë vend demokratik të botës presidenti nuk i raporton Qeverisë! Por, aventurat presidenciale duket se nuk do të kenë fund në vendin tonë. Gjithsesi, kjo "zbritje" nga "Olimpi" i pushtetit në gjirin qeveritar e ka një domethënie të veçantë. Ishkryetari i PDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës tregoi dje se jo vetëm që nuk i respekton institucionet, pavarësinë e tyre, por është thellësisht i zhytur në përzierjen e kompetencave, që nga krijimi i PAN-it e deri në themelimin e Qeverisë. Natyrisht, raportimi në qeveri nuk është me ftesë të kryeministrit, por me dëshirën e presidentit. Ky i fundit e mban gjallë koalicionin, me prapaskenat dhe pazaret që bën, me skenarët që përgatit dhe përçarjet që nxit në skenën tonë politike. Thaçi dje kërkoi mbështetje të partive për dialogun që, siç e konfirmoi edhe vetë, do të sjellë kompromise të reja. Por, si mund të kërkojë tash mbështetje, kur as Qeverinë nuk e ka unike?! Njëra parti qeveritare e bojkotoi raportimin e presidentit, duke i dërguar kështu mesazhe negative në aventurën e tij në bisedimet me Serbinë. Nga ana tjetër, opozita nuk po jep shenja se do ta mbështesë udhëheqjen e dialogut nga kreu i Republikës, që është mësuar të bëjë gjithçka krye më vete. Me gjasë, ky është vetëm fillimi i një krize ekzistenciale për të parin e shtetit. Ai mund ta vazhdojë ekskursionin e tij politik nëpër ministri, e deri në zyra të vogla shtetërore, por vështirë se do ta bindë dikë ta mbështesë në qëllimet e tij të dyshimta. Tashmë po bëhet e qartë se po flitet edhe për ndryshim kufijsh me Serbinë, prandaj ky proces assesi nuk mund t'i besohet një lideri, sidomos kur ky e ka emrin Hashim Thaçi!

(Kosova Sot)