Qeveria trash xhepat, njerëzit nuk kanë bukë të hanë

  • 02 July 2018 - 17:10
Qeveria trash xhepat, njerëzit nuk kanë bukë të hanë
Fundjavën që lamë pas xhirollogaritë bankare të qeveritarëve janë mbushur me para, në mënyrë retroaktive, pasi rrogat e tyre kanë dalë me rritjen skandaloze të dyfishuar. Ndërkohë, për shumicën e qytetarëve të Kosovës të ardhurat mujore mezi e përballojnë ekzistencën. Kontoja e kryeministrit që dikur, kur ishte në opozitë, akuzonte pushtetin për abuzime e korrupsion, është shtuar me mijëra euro, ndërsa kontot e bashkëqytetarëve të tij të varfër ka kohë që ulërijnë. Një mësues, në mjek, një infermiere, një polic, një zjarrfikës, një nëpunës…e kështu me radhë, marrin paga 6 herë më të vogla se kryeministri i vendit më të varfër të Evropës. Këtij pushteti duhet t'i vijë turp për hendekun e thellë që është duke e krijuar mes qytetarëve dhe Qeverisë. Por, duhet ta theksojmë faktin se pushtetarët mirë po ia bëjnë këtij populli të shumëvuajtur, të sunduar prej vitesh, përderisa njerëzit heshtin. Reagimet në rrjetet sociale mund të jenë vetëm një shprehje e frustrimit kolektiv, por nuk sjellin gjë prej gjëje. Në një vend ku qytetaria aktive nuk duron, por reagon, në ditën kur Qeveria vendos t'ia dyfishojë vetes pagat, njerëzit duhet të ngrihen në protesta, t'ua bllokojnë zyrat shtetarëve të korruptuar dhe të papërgjegjshëm. Nuk është vetëm dyfishimi abuziv i pagave, por çdo vendim që merr kjo qeveri kriminale është i paligjshëm dhe me pasoja afatgjata për Kosovën. Le ta rikujtojmë vetëm skandalin e radhës, vendimin për t'ia paguar kompanisë 'Bechtel-Enka' edhe 53 milionë euro, me arsyetimin se nëse na padisin në arbitrazh pasojat do të jenë më të mëdha! E kush i gëlltit këto paçavure qeveritare…Edhe më i painformuari në këtë shtet e di fare mirë se nuk ka asnjë arsye ligjore që t'i dhurohen 53 milionë euro kompanisë që po ua merr deri tash taksapaguesve gati një buxhet vjetor për dy autostrada, të ndërtuara me kontrata jotransparente dhe të dyshuara për korrupsion të madh. Është e kuptueshme se nga i pari tek i fundit, në klanin e oligarkëve, secili do t'i marrë milionat e vet nga kjo aferë, por le të shpresojmë se një ditë drejtësia do t'ua konfiskojë dhe t'ua kthejë qytetarëve pasurinë e shpërdoruar.

(Kosova Sot)