Kosova, e bllokuar nga mafio-politikanët dhe e izoluar nga evropianët

  • 03 July 2018 - 17:08
Kosova, e bllokuar nga mafio-politikanët dhe e izoluar nga evropianët
Kryefjala e jetës institucionale është bërë sërish dialogu me Serbinë, ndërsa, si zakonisht, kryeprotagonisti është presidenti i vendit. Në saje edhe të shumë mediave që financohen dhe kontrollohen nga pushteti, agjenda e bisedimeve në Bruksel po e dominon informimin publik. Një gjë e tillë po i shërben Qeverisë së dështuar që të vazhdojë hajninë e buxhetit, korrupsionin dhe zhvatjen e pasurisë së Kosovës. Kuvendi ka dështuar gjithashtu në shtyrjen përpara të planit legjislativ, ndërsa procesi ligjbërës është tepër i dobët. Deputetët janë mësuar të votojnë ligje, të cilat as që i lexojnë, mjafton që oligarkët t'u thonë se çka të votojnë. Lobet e krimit të organizuar e kanë në grusht shtetin. Qeveria qartazi është e drejtuar prej nëntokës mafioze dhe u shërben grupeve të caktuara të interesit, të afërta me pushtetin. Bizneset po kalojnë periudhën më të vështirë dhe mezi po mbijetojnë. Vetëm ato kompani që janë të lidhura me Qeverinë arrijnë të kenë sukses në treg, ndërsa të tjerat ose mbyllen ose e zhvendosin kapitalin jashtë Kosovës, në tregje të tjera. Mafio-politika ka shkaktuar një bllokadë të jashtëzakonshme të shtetit, duke ua humbur shpresën qytetarëve se një ditë do të bëhet më mirë. Propaganda e vazhdueshme e pushtetit nuk mund ta mbulojë këtë dëshpërim masiv. Jo vetëm niveli qendror, por edhe ai lokal, është i dështuar dhe shembulli më keq këtu është Prishtina, që po keqpërdoret nga kryetari aktual dhe klani i tij mafioz. Të bllokuar nga pushtetarët e korruptuar dhe të izoluar në anën tjetër nga Bashkimi Evropian, qytetarët kosovarë nuk po kanë nga t'ia mbajnë. Në pritje të dritës jeshile për liberalizimin e vizave, shpresa e vetme për t'i shpëtuar këtij regjimi të ashpër kriminal është largimi nga Kosova. Për fat të keq, reflektimi i klasës politike ndaj kësaj gjendje alarmante është shumë i zbehtë, prandaj vetëm ndonjë lëvizje qytetare mund të nxisë ndryshime.

(Kosova Sot)