Milionat u zhvatën në emër të reformave në arsim

  • 05 July 2018 - 16:54
Milionat u zhvatën në emër të reformave në arsim
Deklaratat bombë të shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, se Evropa dha milionat për arsimin e Kosovës, por rezultatet janë zero, do të duhej të binte si çekan mbi kokat e pushtetarëve. Janë vetëm dy parti që kanë drejtuar Ministrinë e Arsimit, LDK-ja dhe PDK-ja, që nga pas lufta, deri në këtë mandat që e mori Nisma e Fatmir Limajt dhe të cilat janë përgjegjëset kryesore për degradimin tej mase të sferës së arsimit. Qysh kur e mori drejtimin e kësaj ministrie, Rexhep Osmani i LDK-së që ia kaloi Agim Veliut të së njëjtës parti dhe më pas u fut nën kthetrat e PDK-së me ministrat Enver Hoxhaj, Ramë Buja e Arsim Bajrami, gjendja në arsim asnjëherë nuk e mori përpjetën, përkundrazi. Këto dy parti e politizuan arsimin tej mase me punësimet partiake e nepotiste, me skandalin monopolist me librat shkollorë që zhvatën buxhetin në përmasa disa miliona euro dhe me Agjencinë e Akreditimit që licencoi shumë kolegje private, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër pos lëshojnë diploma pa vlerë. Sot, gjendja në arsimin e Kosovës është si mos më keq. Miliona u dhanë nga institucionet tona në emër të "reformave" në arsim, të cilat nuk ishin gjë tjetër, pos disa dokumente të pavlera të hartuara jashtë Kosovës për të mbushur xhepat e zyrtarëve me anë të mëditjeve. Dhjetëra milionë të tjerë u dhanë donacione nga BE-ja dhe SHBA-ja, por nuk dihet se ku përfunduan. Nëse marrim për bazë PISA-n dhe rezultatet që dolën, shohim se kemi një arsim aspak cilësorë. Shkollat profesionale nuk ofrojnë kurrfarë praktike pune, ekuivalente me simotrat në rajon, por janë shkolla ku edhe sot e kësaj dite mësohet me skripte koti. Universitetet Publike janë shtuar si kërpudhat pas shiut dhe nën mandatin kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, u themeluan shumë universitete për vota, pa kuadër të nevojshëm akademik. Profesorët shëtisin nga njëri universitet tek tjetri në dhënien e "ligjëratave" dhe kur këto nuk u mjaftojnë, u rreken kolegjeve private. Është momenti më i domosdoshëm që BE-ja dhe SHBA-ja të mos përkrahin këta politikanë në pushtet, të cilët nuk bëjnë asgjë për të bërë reforma në arsim dhe në fusha të tjera, por janë të dhënë pas luksit e parasë në kurriz të qytetarëve. Arsimi në Kosovë si dhe shumë sektorë të tjerë janë në fund të pusit.

(Kosova Sot)