Editoriali:Mjegullnaja për 53 milionët

  • 06 July 2018 - 17:07
Editoriali:Mjegullnaja për 53 milionët

Skenat që u panë të enjten në Kuvendin e Kosovës tregojnë për mjerimin në të cilin gjendet republika jonë nga këta politikanë. Interpelanca për 53 milionët shtesë, që duhet t'ia japë Qeveria konzorciumit "Bechtel Enka", nuk e qartësoi publikun, por e thelloi edhe më tutje në mjegullnajë. Ajo që panë qytetarët të enjten nuk ishte asgjë më shumë se një cirkus që vazhdon ta shoqërojë këtë Kuvend që nga konstituimi. Deputetët dhe qeveritarët diskutonin me lehtësi këtë shumë, sikur të bëhej fjalë për 530 euro e jo për 53 milionë, që do të paguhen në kurriz të qytetarëve. Me 53 milionë euro, sikur të administroheshin mirë, do të mund të ndërtoheshin rrugë e spitale dhe investime të tjera të nevojshme publike. Se kush ishte fajtor për këtë skandal multimilionësh qytetarët nuk e patën lehtë ta marrin vesh, sepse njëra palë fajësonte tjetrën dhe anasjelltas dhe askush nuk merrte përgjegjësi për humbjen e parave të taksapaguesve. Dikush është fajtor për këtë skandal dhe ai dikush duhet të shkojë në burg për këto para të humbura kot, tha një deputet sot në Kuvend. Por në sistemin e drejtësisë së kapur është vështirë të bindemi se prokuroria do ta hetojë këtë skandal, do të ngrejë aktakuzë, por edhe nëse ndodh kjo, është vështirë po ashtu të besohet se gjykata do të japë ndonjë verdikt. Nuk janë paratë e para e as të fundit që këta pushtetarë dhe soji i tyre do "t'i djegin" në dëm të qytetarëve, sepse Kosova ka humbur qindra miliona euro nëpër tenderët e kurdisur, siç ngjan të jetë edhe ky me kompaninë "Bechtel& Enka". Por, ajo që shqetëson tej mase është fakti se si përfaqësuesit e popullit e kalojnë një problem kaq të madh me nonshalancë dhe nuk janë në gjendje të ndalin avullimin e milionave. Duhet të shohim se çfarë do të sjellë seanca e sotme, e cila do të vazhdojë rreth temës në fjalë. Deputetët e kanë për detyrë që t'i thonë stop këtij abuzimi të madh e jo të qëndrojnë aty si një makinë e prishur. Ata janë zgjedhur nga qytetarët dhe duhet të përfaqësojnë ata, e jo interesat e shefave të tyre politikë.

 

 

(Kosova Sot)