Rrugët e përgjakura të Kosovës - Editoriali - Kosova Sot
Rrugët e përgjakura të Kosovës

Rrugët e përgjakura të Kosovës

Kosova mund të mburret për numrin më të madh të policëve në rajon e për kokë banori edhe më të madh në Evropë, por për numrin e aksidenteve në trafik kemi një gjendje alarmante. Aq alarmante është gjendja, saqë të dielën në magjistralen Therandë-Duhël kanë vdekur pesë persona, në mesin e tyre tre fëmijë dhe raste të tilla nuk ndodhin rrallë. Nga ajo që raportohet, është shuar një familje me banim në Zvicër, që ka ardhur për pushime në Kosovë. Statistikat e Policisë flasin për një gjendje tejet shqetësuese. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga janari deri në qershor, sipas të dhënave të Policisë, kanë humbur jetën 57 persona nëpër aksidente të ndryshme në komunikacion, kurse janë edhe 5630 persona të cilët kanë pranuar ndihmë mjekësore, dikush i lënduar rëndë e dikush më lehtë. Statistikat e korrikut sigurisht që do ta rrisin edhe më shumë numrin e të vdekurve në trafik. Në total, sipas këtyre statistikave, kanë ndodhur 7 mijë e 3 aksidente. Gjendja në sferën e trafikut është aq e rëndë sot, saqë ajo duhet të alarmojë institucionet ligjzbatuese, sidomos Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Edhe Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të kryejnë punën e tyre lidhur me këto tragjedi që po ndodhin për çdo ditë në rrugët e Kosovës. Institucionet relevante nuk mund të mjaftohen vetëm me ashpërsimin e masave ndaj shoferëve të automjeteve që ekzistojnë vetëm në letër, por ato duhet të jenë në vazhdimësi në rrugët e Kosovës për parandalimin e këtyre aksidenteve vdekjeprurëse. Sidomos gjatë verës, kur bashkatdhetarët tanë vijnë për pushime në vendlindje dhe i japin me turr shumë më të madh veturës sesa që atë e bëjnë në Gjermani, në Zvicër apo kudo gjetiu në Evropë. Vdekjet e shpeshta në rrugët e Kosovës flasin qartë për atë se sa lirë kushton jeta e njeriut në Republikën tonë. Sa e sa vdekje të tjera ndodhin në Kosovë për neglizhencë të mjekëve, ushqime pa kontroll që qytetarët i hanë, ose nga pasiguria në punë. Të gjitha këto ndodhin, në të shumtën e rasteve, për fajin e pushtetarëve që bëjnë ligje të mira, por nuk i zbatojnë fare ato.

(Kosova Sot)

20 orë e 42 minuta më parë
24/09/18