Politika e spektakleve

  • 11 July 2018 - 17:06
Politika e spektakleve
Pushteti aktual i Kosovës po vazhdon të bëjë shou medial për të paraqitur "punën e madhe" që po e bën në funksion të rendit dhe ligjit në Kosovë. Pesë qytetarët serbë, të arrestuar se po bëjnë presion tek serbët e futur në FSK dhe se po paraqesin kërcënim për sigurinë nacionale, u liruan shpejt, aq shpejt sa askush nuk mund t'ua shpjegojë qytetarëve pse këta persona, që paraqesin rrezik për sigurinë e vendit, të lihen të lirë. Spektaklet e tilla, si ato që u panë të martën në Gjilan, nuk u duhen fare kosovarëve. Kësaj radhe mungoi vetëm autorësia e plotë e atyre politikanëve se kush dha urdhër për një gjë të tillë, sepse në raste të tjera ishte vetë presidenti i vendit që rrihte gjoks për veprime të tilla, si ai me kthimin e trenit serb, apo arrestimin e Marko Gjuriqit që kishte hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës. Në një sistem parlamentar, kur presidenti ka më shumë rol ceremonial dhe kryeministri shikon prej shpati se çka po ndodh në vendin e tij, tregon për anarkinë e këtij sistemi, të cilin e ka katandisur kjo politikë pa krye. Nëse serbët janë fajtorë për ato që u raportua gjatë ditës së djeshme, ata nuk do të duhej të liroheshin. Por edhe kësaj radhe duket se e vërteta doli në shesh - presioni i Beogradit e bëri të veten me kërkesat që serbët të lirohen brenda ditës. E ky pushtet i kapur e pati të vështirë t'i rezistojë këtij presioni, nëse nuk vërtetohet e kundërta se e gjitha ka mundur të jetë e kurdisur më parë. Politika kosovare, pushtet dhe opozitë, ka rënë në gjumë të thellë. Kosovës po i përgatiten skenarë të rrezikshëm rreth veriut të Kosovës, si Ujmani e 'Trepça', që mund të kalojnë në kompetenca të Asociacionit të komunave serbe, apo edhe më keq, që kjo pjesë të shkëputet e tëra. Por, politikanët nuk e hapin ndonjëherë as si debat në Parlament, edhe kur Kosovës i rrëshqet dheu nën këmbë, edhe kur Kosova rrezikon të ndahet për shkak të disa marrëveshjeve të dëmshme që pushtetarët e saj i arritën me Serbinë. Kjo politikë duhet të ikë në theqafje sa nuk është bërë vonë. 

(Kosova Sot)