Editoriali:Vetëlavdërimi qesharak i qeverisë

  • 16 July 2018 - 16:56
Editoriali:Vetëlavdërimi qesharak i qeverisë

Të gjitha qeveritë kosovare kanë shprehur herë pas here doza vetëkënaqësie, por asnjë nuk është më narciste se kjo aktualja. Qeveritarët e tanishëm, edhe pse deri tash nuk kanë arritur as një nivel mesatar në performancën e tyre, nuk ngurrojnë të vetëlavdërohen për mospunën e treguar. Kështu, javën që lamë pas, përmes një raporti statistikor, ku me kujdes ishin përjashtuar pikërisht shifrat kryesore që tregojnë të vërtetën e qeverisjes, kryeministri u deklarua si më i suksesshmi me ekipin e tij, të cilin duhet theksuar se e ka jashtë kontrollit. Dhjetëra parti në koalicion, secila mbajnë nën kontroll dikasteret e tyre, ndërsa raporti me kreun e qeverisë është thjesht formal. Por, ky është pakti i turpshëm për pushtetin me çdo kusht, për zhvatjen deri në fund të pasurisë publike dhe buxhetit të taksapaguesve kosovarë. Suksesi i çdo qeverie matet me zhvillimin e përgjithshëm, me rritjen ekonomike, me zbutjen e varfërisë, me punësimet e reja, me rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve, me investimet, përmirësimin e shërbimeve publike, ngritjen e nivelit të shëndetësisë, arsimit etj. Në të gjitha sferat kryesore, ka ngecje, ka regres, ka dështim! Kjo qeveri mund të mburret se ia ka dyfishuar vetes rrogat, se do t'ia "dhurojë" 'Bechtel & Enkas" 53 milionë në një aferë që do të duhej ta zgjonte nga gjumi prokurorinë. Ky koalicion në pushtet e ka mashtruar popullin e Kosovës, duke ia humbur gati tre vjet me kauzën e demarkacionit, që edhe pas miratimit nuk e solli liberalizimin e vizave. Me këtë pushtet korrupsioni mbetet endemik, drejtësia përtokë dhe shpresa e humbur. Papunësia vetëm në radhët e të rinjve është mbi 60 për qind, ndërsa mijëra familje jetojnë me një euro në ditë. Tenderomania, klientelizmi, nepotizmi, dominojnë institucionet. Meritokracia është varrosur nga kjo klasë e papërgjegjshme politike. Nëse kjo qeveri, e cila paturpshëm mburret, sadopak do të kishte kontribuar në përmirësimin e situatës, mund t'i njihej një kontribut. Por, edhe ata vetë e dinë fare mirë se kontributi i vetëm i tyre është mbushja e xhepave të oligarkëve dhe lënia në izolim e qytetarëve kosovarë.

 

 

(Kosova Sot)