Editoriali: Dialogu pa unitet do të dështojë

  • 17 July 2018 - 17:24
Editoriali: Dialogu pa unitet do të dështojë

 Vazhdimi i dialogut me Serbinë, pa reflektuar për ecurinë e këtij procesi dhe pa një vetëkritikë nga drejtuesit e negociatave për marrëveshjet e dëmshme, do të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e vendit. Nga ana tjetër, injorimi i temave të ndjeshme, siç janë kompensimi i dëmeve miliardëshe të luftës dhe pasuritë që i takojnë Kosovës nga ish-RFJ-ja, gjithashtu, përbën një lëshim tjetër serioz. Mungesa e një vizioni të qartë dhe një platforme të qëndrueshme e dobëson edhe më tutje pozicionin e palës kosovare në dialogun me shtetin fqinj. Ndërkohë që presidenti i Serbisë po e përgatit popullin e tij për një marrëveshje që do t'u jepte fund telasheve shekullore me Kosovën, homologu kosovar e ka hallin se si ta marrë me çdo kusht timonin e procesit, që të realizojë çdo gjë që i kërkohet, me një kusht-të mos preket nga Gjykata Speciale. Pazaret e tilla mund të kenë pasoja të pariparueshme për Kosovën dhe brezat që do të vijnë, prandaj duhet të parandalohen. Opozita, edhe pse e ka refuzuar pjesëmarrjen në një delegacion që do të qëndrojë në Bruksel këtë javë, duket jounike, por nga ana tjetër, shumica e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës nuk janë në krahun e koalicionit. Një raport i tillë mund të ndryshojë nëse nisin shitblerjet e deputetëve, por një gjë e tillë do të ishte skandal i madh. Shkuarja e palës kosovare në fazën përmbyllëse të bisedimeve pa caktuar vijat e kuqe, të cilat dihet sepse ishin bërë gati më herët me pakon 'Ahtisari', është një gabim i rëndë që nuk duhet të lejohet. Partitë kosovare, para se të shkojnë në Bruksel, duhet të gjejnë gjuhën e konsensusit me njëra-tjetrën e pastaj të paraqiten unikë në rrafshin ndërkombëtar. Nuk do të ketë sukses asnjë negociim pa pasur edhe mbështetjen e opozitës kosovare, prandaj aventura e presidentit të papërmirësueshëm është e destinuar të dështojë, e bashkë me të edhe marrëveshja që e dëmton Kosovën. 

(Kosova Sot)