Editoriali: Pushtetarët meritorë vetëm për zvarritjen e getoizimit

  • 19 July 2018 - 17:07
Editoriali: Pushtetarët meritorë vetëm për zvarritjen e getoizimit

Ish-komandantët, së bashku me një biznesmen kontrovers që milionat i bëri në ish-Republikat sovjetike, u mburrën dje me rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave, por qytetarët e dinë tashmë se nëse këta pushtetarë janë "meritorë", ata kanë meritë vetëm për zvarritjen e këtij izolimi të padrejtë të Kosovës. Partnerët e PAN-it, këta që ishin deri dje në opozitë dhe të tjerët që janë konstant në Qeveri, janë përgjegjës pse vendi humbi gati tre vjet me një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi, e cila, në fund, prapëseprapë u ratifikua pa kurrfarë ndryshimi. Po të kishim pasur politikanë të përgjegjshëm, sot shtetasit kosovarë do të lëviznin në hapësirën e Shëngenit si të gjithë fqinjët, pa viza, por për fajin e qeveritarëve të korruptuar dhe mashtrues, populli ynë mbeti në geto. Rekomandimi pozitiv i Brukselit është lajm i mirë, edhe pse vetëm gjysma e punës. Një proces i vështirë është përpara, në mënyrë që të bëhet realitet lëvizja e lirë e shumëpritur. Liderët tanë, së paku tri herë e kanë hapur shampanjën e festës, duke i mashtruar qytetarët se po ndodh liberalizimi i vizave, që në fakt nuk u bë. Pushtetarët e sotëm nuk kanë asnjë arsye që të mburren, por duhet ta ulin kokën e të punojnë për vendin. Nëse vjen liberalizimi i vizave, merita është e qytetarëve kosovarë, të cilët do të dalin nga një izolim i thellë dhe i mundimshëm. Por, ka një sfidë edhe në këtë rast, një sfidë e vështirë për Republikën. Liberalizimi nuk nënkupton punësim, megjithatë qindra mijëra njerëz të këtij vendi, shumica të rinj, do ta shikojnë lëvizjen e lirë si mundësi emigrimi drejt një jete më të mirë. BE-ja nuk është fushë me lule dhe shkuarja pa viza në vendet anëtare nuk nënkupton punësim. Derisa të përfundojë procesi i liberalizimit, pushteti do të duhej të tregohej vetëkritik dhe të përpiqet të paktën që t'ua hapë perspektivën qytetarëve, në mënyrë që secili ta shohë të ardhmen e vet në Kosovë e jo në emigracion.

(Kosova Sot)