Editoriali:Liberalizimi nuk është fitore kundër korrupsionit

  • 20 July 2018 - 16:31
Editoriali:Liberalizimi nuk është fitore kundër korrupsionit

Krerët e shtetit nuk harruan të falënderojnë drejtuesit e organeve të drejtësisë për "suksesin" e tyre në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, por e vërteta dihet se kjo betejë është e humbur deri më tash. Vetë ata, të njohur tashmë si delegacioni i burrave të Kosovës në Bruksel, janë kokat e kapjes së shtetit dhe përgjegjësit kryesore të mossundimit të ligjit. Brukseli e di fare mirë këtë fakt, ndërsa liberalizimi i vizave është një mundësi që u jepet qytetarëve të lodhur e të stërvuajtur të këtij vendi, që padrejtësisht janë duke përjetuar një sundim të rëndë nga klasa politike më e korruptuar në Evropë. Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave dihet se erdhi pas ratifikimit të Marrëveshje së Demarkacionit me Malin e Zi, kurse sa i përket kriterit të luftës kundër korrupsionit, BE-ja, edhe për fqinjët tanë, e ka mbyllur njërin sy. Në fakt, për të qenë realist deri në fund, për Kosovën BE-ja po i mbyll dy sytë sa i përket sundimit të ligjit. Drejtësia kosovare është sektori më i kritikuar dhe më i lënë pas dore. Këtu nuk bëhet fjalë për një objekt më shumë ose më pak, por për mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të guximshëm, që do t'ua tregonin forcën e ligjit politikanëve të fortë, që janë përmbi ligjin dhe rregullat e demokracisë. Qytetarët tanë duhet ta kuptojnë se, fundja zyrtarëve në Bruksel, nuk u intereson shumë a e luftojmë ne apo jo korrupsionin, a i zgjedhim ne apo jo në Parlament e në Qeveri politikanët e inkriminuar. Për sa kohë, Kosova mbetet e udhëhequr nga milionerët e korruptuar të partive dhe zhvatësit e fondeve publike, është e qartë se nuk do të ketë anëtarësim në BE. Lufta e së keqes është një detyrë e jona, prandaj liberalizimin mund ta perceptojmë edhe si një motiv shtesë, për t'u ngritur si shoqëri kundër të korruptuarve. Mos të harrojmë, Kroacia hyri vërtet në BE, por u desh ta prangoste ish-kryeministrin Sanader. Pa rezultate serioze, nuk ka ecje përpara!

 

 

(Kosova Sot)