Editoriali:Rrugët e përgjakura

  • 24 July 2018 - 16:59
Editoriali:Rrugët e përgjakura

Aksidentet nuk kanë të ndalur në Republikën e Kosovës, ndërsa fatkeqësitë po shtohen, sepse jetë njerëzish po marrin fund tragjikisht në rrugët e vendit. Listës së të aksidentuarve dje iu shtua edhe eskorta e Presidentit, që u përfshi në një aksident në Komoran. Ndërsa në Gllarevë, dy persona u raportua se kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes së veturave me një kamion. Edhe pse rrugët po përgjaken çdo ditë, ka fare pak masa konkrete nga institucionet kompetente. Një pjesë e madhe e aksidenteve shkaktohen nga shpejtësia, por në disa raste ndikon edhe infrastruktura e dobët rrugore, mungese e sinjalizimit, ndriçimit etj. Edhe pse është krijuar përshtypja se miliarda euro, që kanë hyrë në asfalt, e kanë bërë Kosovën sinonim të asfaltit, në shumë akse rrugore ka problem të theksuara. Pronarët e automjeteve paguajnë çdo vit një taksë rrugore për mirëmbajtje, megjithatë, niveli në të cilin mirëmbahen rrugët lë shumë për të dëshiruar. Se sa mbrapa jemi me temën e rrugëve tregon edhe lajmi i ditëve të fundit nga Ministria përkatëse se do të fillojë të bëhet kategorizimi i rrugëve. 18 vjet pas përfundimit të luftës, asnjë qeveri nuk ka arritur ta bëjë këtë kategorizim shumë të rëndësishëm edhe për trajtimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Ndërkohë, si pasojë e asfaltit të dobët, si rrjedhojë, një situatë e tillë bëhet shkaktare e shtimit të aksidenteve, sidomos gjatë sezonit të verës, kur shumë mysafirë nga diaspora, që nuk e njohin mirë terrenin, aksidentohen. Është e domosdoshme që shteti të hartojë strategji të zbatueshme për sigurinë në komunikacionin rrugor, të shtohet vetëdijësimi i qytetarëve dhe të investohet në mënyrë më serioze në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalistikës etj. Një kujdes i veçantë duhet t'u kushtohet këmbësorëve dhe trotuareve për ta, sepse pjesa dërrmuese e rrugëve lokale nuk kanë fare trotuare. Ndërsa për mërgimtarët duhet të shtohen informacionet, sepse është e qartë se kur vijnë në Kosovë ngasin veturat shpesh në mënyrë të papërgjegjshme, gjë që nuk e bëjnë në vendet ku jetojnë, sepse u pason dënimi.

 

 

(Kosova Sot)