Editoriali:Republika e moteleve, pompave, bastoreve dhe kazinove!

  • 25 July 2018 - 17:05
Editoriali:Republika e moteleve, pompave, bastoreve dhe kazinove!

Agjencia e Statistikave të Kosovës njoftoi se, sipas të dhënave të qershorit, mbi 23 për qind është thelluar deficit tregtar i vendit. Ky tregues e ilustron gjendjen e rëndë ekonomike dhe përkeqësimin e ambientit biznesor në Kosovë. Pavarësisht se qeveritarët mburren se janë duke bërë mrekulli sipas tyre, realiteti ekonomik ua mbyll gojën të gjithë atyre. Prodhimtaria po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme dhe tregu mbetet i vërshuar edhe më shumë nga mallrat e importuara, sidomos nga Serbia. Edhe Qeveria "Haradinaj" nuk ka arritur ta demonopolizojë tregun, t'u vijë në mbështetje bizneseve prodhuese dhe të krijojë mundësi të reja për investime dhe punësim. Se sa demotivuese është edhe kjo Qeveri e paaftë për investitorët, tregon studimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve i publikuar këtë javë. 94 për qind e investitorëve të huaj dhe vendas, nuk preferojnë të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, për shkak të kushteve të pafavorshme të të bërit biznes. Fatkeqësisht, Kosova nuk po arrin të bëhet shtet konkurrent as me rajonin, ku bizneset po gjejnë lehtësira të shumta për investimet e tyre në fusha të ndryshme. Në vendin tonë, Qeveria ka vetëm fjalë, por asnjë lehtësim konkret dhe ofertë të favorshme për kompanitë serioze. Si rrjedhojë, nuk ka forcim të kapaciteteve prodhuese, nuk ka krijim të vendeve të reja të punës. Ajo që shohim edhe në këtë mandat qeverisës, është shtimi i pompave të benzinës, moteleve, bastoreve dhe kazinove. Kjo është pamja "biznesore" e Republikës dhe kuptohet pse është kështu. Pas këtyre bizneseve, ku dyshohet se bëhet edhe shpëlarje parash, qëndrojnë politikanët haraçvënës dhe të korruptuar. Kosova po rrezikon të shndërrohet në një xhungël ekonomike, ku ata që vijnë për të bërë biznes, zakonisht përfitojnë miliona e miliarda nga buxheti i taksapaguesve të varfër kosovarë, por nuk hedhin asnjë cent nga xhepi i vet. Përderisa nuk ndryshon kjo, deficit tregtar do të vazhdojë të thellohet, ndërsa edhe ata pak prodhues që janë do të shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së kapitalit në drejtim të vendeve fqinje. 

 

(Kosova Sot)