Editoriali:Zmbrapsje tregtare pas vendimit populist

  • 26 July 2018 - 16:55
Editoriali:Zmbrapsje tregtare pas vendimit populist

Kanë mjaftuar pak ditë, që Qeveria e Kosovës të zmbrapset nga vendimi për vendosjen e taksave të përkohshme doganore për disa produkte sezonale. Një vendim i tillë u mor për t'iu ardhur në mbështetje prodhuesve vendorë, të cilët nuk i bënin ballë konkurrencës së produkteve të importit, që subvencionohen shumë më tepër në vendet respektive, ndërsa arrijnë të depërtojnë në treg më lehtë për shkak të çmimeve më të favorshme. Edhe pse qeveritarët tanë nxituan të mburreshin për aplikimin e taksave të reja doganore, po me nxitim janë detyruar të zmbrapsen nga një vendim i tillë. Shfuqizimi i masave është i pjesshëm pas presionit që erdhi nga fqinjët tanë, anëtarë të marrëveshjes CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova. Zhvillimet rreth këtyre tarifave dhe kësaj përplasjeje tregtare tregojnë se sa e pavendosur është Qeveria jonë, edhe kur vendos të ndërmarrë një hap pak më të guximshëm në raport me rajonin. Ky rast dëshmon joseriozitetin e institucioneve kosovare, të cilat edhe kur nxjerrin vendime, e bëjnë këtë pa e analizuar mirë situatën, efektet dhe rezultatet e pritshme. Një arsye e njohur se pse vjen deri te një rrethanë kësisoj, është edhe populizmi i disa politikanëve, të cilët përpiqen, që qoftë edhe përmes ndonjë aventure të tillë, të krijojnë perceptimin te publiku se janë duke i ndihmuar fermerit vendas, biznesit prodhues, edhe pse e vërteta është krejtësisht ndryshe. Kosova është shumë larg vendeve të rajonit në subvencionimin e produkteve bujqësore e blegtorale, ndërsa fermerët përballen me mbijetesën. Edhe pse çdo vit ndahen miliona euro për bujqësinë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve mbërrin në xhepa jomeritorë. Si rrjedhojë, edhe efektet ekonomike janë të zbehta, ndërsa mungon një vlerësim i thellë i situatës. Edhe shteti, edhe prodhuesit duhet ta kuptojnë se në kushtet e një liberalizimi tregtar, mbrojtja e prodhimit vendor është e rëndësishme kur bëhet si duhet, e jo me masa të përkohshme , të cilat nuk i mbajnë as një javë!

 

 

(Kosova Sot)