Editoriali: Mungesa e unitetit për dialogun ia hap rrugën zgjedhjeve

  • 27 July 2018 - 17:04
Editoriali: Mungesa e unitetit për dialogun ia hap rrugën zgjedhjeve

 Debatet e djeshme në Kuvendin jofunksional të Kosovës, rikonfirmuan edhe një herë se nuk ka kurrfarë partneriteti politik për temat e mëdha. Kësisoj, dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ketë kurrfarë suksesi, nëse nuk ka një mbështetje konsensuale partiake së pari. Nga ana tjetër, refuzimi i shumicës ndaj negociatorit të vetëshpallur, presidentit të vendit, është një tjetër pengesë në këtë proces. Tashmë është bërë e qartë se nxitimi për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, nga ana e Hashim Thaçit, është vetëm për interesat e tij personale dhe nuk ka të bëjë asgjë me interesin e shtetit. Si rrjedhojë, vetëm një pakicë deputetësh pa kredibilitet, servilë, të blerë apo të shantazhuar mund ta mbështesin presidentin si kryenegociator. Por, numri i nevojshëm është i pamjaftueshëm për t'ia siguruar legjitimitetin dhe ligjshmërinë në krye të këtij procesi. Opozita nuk dëshiron që t'ia lehtësojë rrugën presidentit, i cili nuk është më i besueshëm për askënd. Deklarimet e tij për dialogun janë gjithnjë kontradiktore. Një herë thotë se do të ketë marrëveshje të dhimbshme, e herën tjetër thotë se ka fare pak gjasa të arrihet, siç e quajti dje, "mrekullia" në dialog. Kosova duhet t'i vendosë kriteret e qarta për bisedimet pasi të analizojë rezultatin e procesit të deritashëm. Kuptohet, lideri që ka sjellë gjitha këto kokëçarje me paaftësinë e tij në negociata nuk mund t'i udhëheqë sërish ato. Pra, lind nevoja për zgjedhje të reja, me gjasë, që të kemi një qeveri të re, me shpresën se do të jetë e përgjegjshme dhe jo si kjo e sotmja, kur kryeministri del e thotë se nuk di se çfarë po bisedohet dhe ia ka lënë krejt barrën e bisedimeve presidentit. Partitë nuk kanë arsye të na humbasin kohë, por ta caktojnë më mirë datën e zgjedhjeve dhe sovrani le të flasë. 

(Kosova Sot)