Editoriali: Politikanëve milionerë t'u konfiskohen pasuritë

  • 30 July 2018 - 17:23
Editoriali: Politikanëve milionerë t'u konfiskohen pasuritë

 Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë Ligjin për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili, nëse zbatohet, mund t'u sjellë telashe të mëdha oligarkëve të pasluftës në biznes dhe në politikë. Të gjithë jemi dëshmitarë të një pasurimi marramendës dhe tepër të dyshimtë të njerëzve të pushtetshëm, të cilët edhe nuk kanë ngurruar ta deklarojnë një pjesë të kësaj pasurie milionëshe. Dyshohet se disa biznesmenë dhe politikanë, deri në kreun e shtetit, kanë pasuri qindra milionë euro, që i kanë shpërndarë te familjarët apo klientelat e tyre. Do të mjaftonte një verifikim i thjeshtë, për t'ua nxjerrë në shesh milionat e pajustifikueshëm, prandaj ligji duhet të miratohet sa më shpejt, në mënyrë që mos t'u lihet kohë në dispozicion njerëzve të korruptuar që janë bërë kanceri i Kosovës. Dihet se oligarkët e biznesit dhe pushtetit janë duke tjetërsuar pasuritë, duke i transferuar në parajsat fiskale, për të humbur gjurmë që nesër të thonë se janë të pastër. Por, populli e di se pushtetarët e pasluftës, të të gjitha partive, janë bërë të kamur mbi kurrizin e pasurisë publike dhe buxhetit të taksapaguesve. Me të ardhurat e tyre nuk kanë mundur të blejnë pasuri të patundshme në vlera tepër të larta, të kenë vetura luksoze, të bëjnë pushime dhjetëra mijëra euro për pak ditë. Miratimi i Ligjit për Shqyrtimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka kuptim nëse secili i dyshuar do t'i nënshtrohet që nënkupton se edhe presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit dhe familjarëve të tyre duhet t'u verifikohet pasuria, pasi ka dyshime të bazuara se kanë përfituar në mënyrë korruptive shuma të mëdha parash, prona e shumëçka tjetër. Kosova e ka të domosdoshme të bëjë këtë verifikim, në mënyrë që të hapë rrugën për një balancë shoqëror dhe besim te ligji. Është momenti vendimtar për të treguar se ende kemi shpresë për një shtet demokratik dhe të së drejtës, ku abuzimet ndëshkohen dhe askush nuk mund të amnistohet.

(Kosova Sot)