Editoriali: Presidenti të rrijë larg dialogut

  • 31 July 2018 - 17:21
Editoriali: Presidenti të rrijë larg dialogut

Debati i djeshëm parlamentar rikonfirmoi edhe një herë mungesën e mbështetjes për presidentin aktual të vendit. Gjithsesi, fakti se kreu i shtetit vazhdon të tregohet mospërfillës ndaj organit legjislativ, që e ka zgjedhur atë, është dëshmia më e mirë se kush po e udhëheq Kosovën dhe si po e drejton dialogun. Edhe pse nuk ka asnjë miratim parlamentar që bisedimet të kryesohen nga presidenti, ky i fundit nuk ngurron të shtojë listën e takimeve me homologun e tij serb. Së fundmi, Vuçiqi ka paralajmëruar sërish se Serbia do të marrë edhe diçka në Kosovë, në këmbim të një marrëveshjeje finale. Por, kreu i vendit edhe më tutje vazhdon të mos jetë transparent dhe të tregojë se çka është biseduar në takimet e mbajtura në Bruksel apo edhe në bisedat joformale në disa ngjarje ndërkombëtare, ku janë takuar me presidentin serb. Kjo e bën edhe më të dyshimtë mbarëvajtjen e dialogut dhe më të paqëndrueshëm ecurinë e këtij procesi nëse kryesohet sërish nga i njëjti lider. Ndërkohë, edhe ngutia me të cilën shfaqet pushteti, për të nënshkruar sa më parë një marrëveshje me palën serbe, është e habitshme, sepse së pari përfituesi kryesor është Serbia, ndërsa Kosova thuajse asgjë nuk përfiton në këtë mes, përkundrazi bëhet humbëse. Është e qartë se kalkulimet politike, që bëhen nga presidenti kosovar me shpurën e tij, janë për interesa personale dhe jo për ato nacionale. I gjendur edhe nën presionin e njohur tashmë të Gjykatës Speciale që "çuditërisht", sikur ka heshtur këtyre muajve pas tentativës për ta zhbërë atë, kreu i Republikës duket se do të jetë në gjendje të hedhë nënshkrimin në çdo marrëveshje që i ofrohet, mjafton që të ketë ndonjë garanci se nuk do t'ia prishin terezinë e pushtetit të konsoliduar tashmë, me rrjetin mafio-oligarkik, klientelën e kriminalizuar e korruptive dhe një Qeveri kukull, të cilën e emëron edhe e shkarkon kur të dojë vetë ai. Nëse edhe në rastin e dialogut do të triumfojë agjenda e rrezikshme presidenciale, Kosovën e pret një sundim me pasoja të paparashikueshme. 

(Kosova Sot)