Editoriali:Dorëheqja, zgjidhja më e mirë

  • 01 August 2018 - 16:47
Editoriali:Dorëheqja, zgjidhja më e mirë

Kosova ka pasur disa Qeveri deri tash, por asnjëra nuk ka qenë më e dobët dhe e mbipopulluar si kjo e sotmja. Një ekzekutiv që sot nxjerr një vendim e nesër i bie pishman, sot fal 53 milionë euro e nesër nxjerr një ligj që e falimenton shtetin, nuk duhet të rrijë në pushtet. Një Qeveri që nuk arrin të ketë kurrë kuorum për vendimmarrje në Kuvend, nëse nuk ia bën opozita, është e destinuar të jetë e kushtëzuar dhe e shantazhuar. E, si rrjedhojë, një kabinet i tillë gjithnjë është i korruptuar, vetëm e vetëm që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet. Për çdo qeverisje, rezultatet janë treguesi i suksesit apo dështimit dhe për koalicionin që po udhëheq Kosovën dihet e vërteta, të cilën e shohin përditë të gjithë. Nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka investime të huaja, nuk ka rend dhe ligj, nuk ka transparencë e as meritokraci, nuk ka stabilitet dhe siguri. Kjo është Qeveria e vetme që punën e parë që bëri ia dyfishoi rrogat vetes, ndërsa në anën tjetër populli po varfërohet dhe mezi e siguron bukën e gojës. Po të pyesësh se cili është ministri më i suksesshëm, përgjigjja është fare e thjeshtë: Asnjë! Nuk ka qoftë edhe një dikaster të vetëm, që dallohet për punë dhe përkushtim. Është e qartë se Kosova po shkon mbrapa me këtë qeverisje sunduese dhe neglizhente njëkohësisht. Arsimi dhe shëndetësia janë në kolaps, nuk ka rregull, nuk zbatohet ligji, biznesi varet nga lidhjet korruptive me pushtetin. Sa më tepër zgjat një qeverisje e tillë, aq më e vështirë do të jetë këndellja e Kosovës. Ky sundim ka pasoja të paparashikueshme, sepse akumulimi i madh i pakënaqësive, mund të sjellë te një shpërthim social i fuqishëm. Këta pushtetarë shohin vetëm xhepin e vet, por nuk mendojnë për tryezën e zbrazur të kosovarëve. Prandaj, dorëheqja e Qeverisë do të na çlironte të gjithëve nga ky makth!

 

 

(Kosova Sot)