Editoriali: Oligarkët kosovarë po i frikësojnë investitorët

  • 02 August 2018 - 16:59
Editoriali: Oligarkët kosovarë po i frikësojnë investitorët

Çelësi i zhvillimit janë investimet private, por pengesa kryesore është korrupsioni politik. Edhe pse Kosova paraqet një udhëkryq interesant rajonal, me burime natyrore, pasuri nëntokësore dhe një terren të përshtatshëm për investime, as pas gati dy dekadash nuk arrin të jetë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja. Zakonisht, kompanitë me renome, edhe kur vijnë në Kosovë, afarojnë me kapitalin kryesor nga buxheti i taksapaguesve kosovarë si në rastin e 'Bechtel-Enkas' që ndërton autostrada, apo kur blejnë kompani publike me vlerë, siç është rasti i Aeroportit dhe KEDS-it. Rrallëherë një sipërmarrës sjell milionat e tij në vendin tonë, sepse siguria për investim është e vogël. Nga ana tjetër, krahasuar me vendet e rajonit, oferta kosovare për investitorët mbetet e vobektë, kurse ajo që është gjithnjë konstante në secilën qeveri, është kërkesa për mitë. Nëse kompanitë e interesuara nuk i përfshijnë në një formë a tjetër njerëzit e pushtetit në biznesin e tyre, gjasat që të kenë sukses në nismat e tyre janë minore. Si rrjedhojë, Kosova vazhdon të jetë një shtet me zhvillim jopremtues ku fuqia punëtore, shumica e pakualifikuar, perspektivën e vet e sheh te punët fizike në Evropën Perëndimore. Ndërkohë, deficiti tregtar po thellohet, kurse fuqia prodhuese është më pak sesa modeste. Si për ironi, për të dëshmuar edhe "vizionin" politik të Qeverisë, shumica e shkëmbimeve tregtare, pra importeve kryesore, vjen nga shtetet që nuk e kanë njohur dhe bëjnë fushatë kundër pavarë- sisë së Kosovës. Me gjasë, disa kompani që kontrollojnë tregun, të lidhura me mafinë politike, do ta mbajnë një gjendje të tillë edhe për një kohë të gjatë, sepse fitimet i kanë të sigurta. Për fat të keq, situata është e njëjtë si në pushtetin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Rasti më ilustrues është Prishtina, që udhëhiqet nga një klan mafioz dhe është bërë pengesë e madhe për biznesin. Në mungesë të një drejtësie efikase, oligarkët nuk zmbrapsen, por shtojnë milionat dhe përkeqësojnë standardin e shumicës së kosovarëve.

(Kosova Sot)