Editoriali:Vrasjet që nuk po ndalen - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Vrasjet që nuk po ndalen

Editoriali:Vrasjet që nuk po ndalen

Shteti po vazhdon që të dështojë të mbrojë njerëzit e rrezikuar nga dhuna në familje. Mosfunksionimi i organeve të zbatimit të ligjit po i ekspozon qytetarët ndaj akteve të dhunshme, që çojnë deri në humbjen e jetës. Rasti i kësaj jave në një fshat të Gjakovës, ku një burrë vrau gruan 40 vjeçe dhe vajzën e tij 9-vjeçare, shënon rastin më të rëndë të dhunës në familje për këtë vit. Rasti tjetër ishte në maj të këtij viti, kur babai mbyti me shkop djalin e tij 14-vjeçar në një fshat të Kamenicës. Gruaja e vrarë ditën e martë ka raportuar në Polici që po kërcënohet, por Policia ka dështuar ta gjejë vrasësin. Autori i krimit makabër ka qenë i paraburgosur një muaj për dhunë në familje, por është liruar pas një muaji, ashtu siç ndodh rëndom me raste të tilla, për shkak të neglizhencës së organeve të drejtësisë. Sipas Kodit Penal, për lëndim trupor brenda familjes dënimi është nga 6 muaj deri në 5 vjet. Nëse kryerësi i krimit do të kishte qenë në paraburgim, sot me siguri nuk do t'i kishim dy persona të vdekur. Është e qartë se shteti ynë ka dështuar posaçërisht në mbrojtjen e grave, të cilat kanë kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të dhunës sistematike në familje, e që ka çuar deri te vrasja nga bashkëshortët e tyre. Mënyra se si funksionon sistemi ynë i drejtësisë është inkurajuese për familjarët e dhunshëm e njerëzit me probleme të ndryshme, që do të duhej të trajtoheshin në qendra të posaçme për raste të tilla. Rastet e dhunës në familje zvarriten shumë në gjykatat e Kosovës. Sa më tepër zgjasin, aq më shumë rrezikohet jeta e familjarëve, grave e fëmijëve. Është e papërgjegjshme se si ky shtet dënimin më të lartë që e ka shqiptuar është 8 vjet për krime të rënda në familje. Vetëm vitin e kaluar, u shënuan rreth një mijë raste të dhunës në familje dhe viktima kanë qenë kryesisht gratë. Edhe pse jepen fonde të shumta për fushata vetëdijesuese e projekte të ndryshme, efekti praktik është thuajse zero me këtë drejtësi që amniston kriminelët. 

 

(Kosova Sot)

20 orë e 1 minuta më parë
19/10/18