Editoriali:Labani

  • 10 August 2018 - 16:51
Editoriali:Labani

Në kohën kur po flitet për kufijtë, pazaret territoriale, hapur tashmë nga krerët e Kosovës dhe të Serbisë, roli i Gjykatës Kushtetuese do të bëhet shumë i rëndësishëm, sepse për çdo marrëveshje ndërkombëtare do të duhej edhe mendimi i këtij institucioni kyç. Gjithashtu, edhe për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është ky mekanizëm i drejtësisë që do të vendosë nëse shkelet apo nuk shkelet Kushtetuta e Republikës. Për të mos lejuar ndonjë vendimmarrje autonome, oligarkët e pushtetit janë përkujdesur që edhe me emërimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të sigurojnë kontrollin e plotë mbi gjyqtarët. Në këtë këndvështrim duhet të shihet edhe emërimi i gjyqtarëve të rinj, sidomos i njërit prej tyre, me kombësi serbe. Edhe pse gjyqtari i sapoemëruar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, ende mbetet në kërkim nga autoritetet në Serbi. Ai kërkohet nga autoritetet e Serbisë dhe në rast se ai udhëton jashtë shtetit, mund t'i vihen prangat, sepse ka urdhërarrest ndaj tij. Në vitin 2011 Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim. Serbia ia ka dërguar vitin e kaluar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë. Edhe pse mediat kanë raportuar për inkriminimin e Labanit, ky i fundit i kaloi procedurat ligjore, mori edhe votat e Kuvendit, ndërsa Presidenti e vulosi emërimin e tij. Natyrisht, vota e Labanit, sikurse e të tjerëve që janë marioneta të pushtetit, do të jetë për çdo vendim që e merr politika. Mjafton të shohësh biografitë e secilit gjyqtar dhe bindesh se sunduesit e shtetit e kanë në grusht Gjykatën Kushtetuese. Mbi të gjitha, emërimi i një personi të inkriminuar në Gjykatën më të lartë në vend është një skandal i madh, që nuk mund të kalojë në heshtje, sidomos në këtë periudhë kur Presidenti, që bëri emërimet, po paralajmëron marrëveshje antikushtetuese, që përbëjnë tradhti kombëtare!

 

(Kosova Sot)