Thaçi, rrugës së Sejdiut dhe Pacollit

  • 11 August 2018 - 17:22
Thaçi, rrugës së Sejdiut dhe Pacollit
Kur presidenti Fatmir Sejdiu rezultoi ta ketë shkelur Kushtetutën, sepse mbante njëkohësisht, edhe pse të pezulluar, pozitën e kryetarit të LDK-së, profesori i së drejtës u detyrua të jepte dorëheqje. Por, ai nuk ishte i vetmi që e bëri një akt të tillë. Serinë e dorëheqjeve e vazhdoi Behgjet Pacolli, i cili qe zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas pazareve që bëri vetëm për vetëm me Hashim Thaçin. Nuk ka hapësirë për debate, kur një president shkel në mënyrë flagrante aktin kryesor politikojuridik të shtetit. Kreu aktual i Republikës mund t'i ketë nxjerrë në harresë rastet e dorëheqjeve të presidentëve të mëhershëm, por fare lehtë ai mund të jetë i treti në këtë listë shkeljesh. Thaçi ka qenë i autorizuar nga Kuvendi, kur ishte kryeministër, të zhvillojë bisedime teknike me Serbinë në Bruksel, por ai tashmë e pranon publikisht, se ky mandat është tejkaluar moti. Nëse para ca kohësh flitej për target dhe diplomat, sot flitet për korrigjim kufijsh dhe shkëmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Por, a e lejon Kushtetuta presidentin tonë të mbërrijë në këtë nivel të negocimit, që duket se është krejtësisht një ndërmarrje e tij personale, me gjasë, për të shpëtuar nga një përballje eventuale me Gjykatën Speciale, që i rri mbi kokë si hanxhar i madh? Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa me Serbinë duhet të bëhet demarkacioni, por jo korrigjimi e as shkëmbimi. Cenimi i territorit është tradhti kombëtare dhe për sa kohë presidenti ynë këmbëngul në këtë propozim, ai kryen një vepër të rëndë penale dhe bën shkelje flagrante të Kushtetutës. Nëse rezulton se ai ka bërë marrëveshje e veç prêt formalizimin e saj, ky do të ishte skandali i shekullit. Pa e ndryshuar Kushtetutën, as Kuvendi nuk mund të autorizojë presidentin apo këdo qoftë, të negociojë për territore. Thaçi nuk po e përfill as Kushtetutën, as Kuvendin. Dorëheqja apo shkarkimi i tij nga posti duket zgjidhja më e mirë aktualisht.

(Kosova Sot)