Editoriali:Vetëm zgjedhjet e parakohshme shpëtojnë Kosovën nga ndarja

  • 13 August 2018 - 16:56
Editoriali:Vetëm zgjedhjet e parakohshme shpëtojnë Kosovën nga ndarja

Në këtë kohë pushimesh, kur sezonin veror po e trazon gjithnjë e më shumë, nisma aventureske e presidentit të Kosovës për ta ndarë vendin në bisedimet me Serbinë, pyetja më e rëndësishme është: Si mund të ndalet kjo marrëzi me pasoja të jashtëzakonshme për brezat që do vijnë? Koalicioni aktual, që ka një minimum votash, sa për të qëndruar në pushtet, është i gatshëm të bëjë gjithfarë pazaresh, në dëm të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit territorial. Edhe ato mospajtimet gjoja që shihen në publik, ndërmjet krerëve të vendit, janë thjesht skenarë mashtrues, sepse sunduesit aktualë janë njëzëri në synimet e tyre djallëzore, për të dhënë gjithçka nga Kosova, që të mbeten me çdo kusht në pushtet. Ndërsa Gjykata Speciale u rri si shpatë mbi kokë, ata e dinë se në momentin që veprojnë në mbrojtje të Kosovës aktakuzat mund të ngrihen dhe komoditeti e luksi i tyre marrin fund bashkë me milionat që i kanë bërë, të cilët u duhen për avokatët e shtrenjtë ndërkombëtarë, për ta blerë lirinë në Tribunal. Me opozitën e shkapërderdhur dhe gjithnjë të tregtuar në skenën tonë politike, është vështirë t'u zësh besë këtyre deputetëve, që i shesin interesat nacionale për disa interesa meskine, personale, klanore, mafioze. Zgjidhja e vetme është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, për t'u dhënë ndëshkimin e merituar atyre që thirren në emër të luftës për liri, por që e shpërdoruan dhe më së shumti përfituan padrejtësisht në emër të saj. Kosovës i duhet një çlirim nga sundimi gati dy dekada i lidershipit të njëjtë, që shumë u pasurua me pasurinë publike dhe djersën e popullit, sa më nuk e dinë as vetë sa miliona i kanë. Vota e sovranit mund ta parandalojë ndarjen e Kosovës, prandaj presioni për të shkuar në zgjedhje duhet të shtohet. Ky pushtet nuk ka as legjitimitet, as kredibilitet, për të bërë marrëveshje me Serbinë. Si i tillë, duhet një orë e më parë t'u hapë rrugën votimeve të parakohshme.

 

(Kosova Sot)