Editoriali:Vetëdijësimi shoqëror për t'i dhënë fund sundimit të oligarkëve

  • 15 August 2018 - 17:17
Editoriali:Vetëdijësimi shoqëror për t'i dhënë fund sundimit të oligarkëve

Shumë kosovarë e kanë komentuar reagimin e diasporës rumune ndaj qeverisjes së korruptuar në Rumani. Protesta masive janë mbajtur në këtë vend, të organizuara nga mërgimtarët rumunë, që t'i japin fund keqqeverisjes. Një mobilizim i tillë shoqëror, kundër një regjimi të inkriminuar, është detyrë e çdo shoqërie që aspiron të jetojë në një vend të lirë, demokratik dhe të pavarur. Nëse bëjmë një krahasim me situatën në Kosovë, ne deri më tash e kemi parë diasporën si një lloj bankomati që nuk ka të shterur, por një ditë kjo mund të ndalet. Për shkak të lidhjeve Kosovëdiasporë, nuk mund të pritet një reagim si në Rumani, megjithatë, një ngritje e vetëdijes së përgjithshme në vendin tonë do të kishte efekt pozitiv në ditët e ardhshme. Pushteti këtu te ne bën shumë propagandë edhe ndaj diasporës, në mënyrë që të fshihet realiteti i egër që po mbretëron në Kosovë, por tashmë asgjë nuk mund të fshihet dhe secili mërgimtar që vjen në vendin e tij e sheh me dëshpërim se asgjë nuk është duke përparuar, por përkundrazi, çdo gjë po shkon mbrapsht. Shumica e njerëzve po varfërohen, ndërsa një pakicë e vogël në pushtet dhe rreth tij, po pasurohet e stërpasurohet. Ndërkohë, drejtësia e korruptuar është gjithnjë në favor të pushtetit dhe ligjin nuk e zbaton, por ua shkel rregullisht të drejtat qytetarëve tanë. Është koha kur secili që e ndjen veten se mund të japë një kontribut në rrëzimin e këtij sundimi oligarkësh, të ngrihet e të mos rrijë më në heshtje, sepse sa më tepër e lejojmë një degradim të tillë, aq më e vështirë do të jetë nesër largimi nga pushteti i kësaj kaste politikanësh e biznesmenësh të korruptuar, që kontrollojnë dhe dirigjojnë gjithçka në Kosovë.

 

(Kosova Sot)