Editoriali: Seanca e jashtëzakonshme nuk mjafton

  • 28 August 2018 - 17:09
Editoriali: Seanca e jashtëzakonshme nuk mjafton

Partitë opozitare, pas një presioni të shtuar publik për shkak të rrezikut që po i kanoset sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, nga pazaret që po i bën presidenti i shantazhuar prej Gjykatës Speciale, më në fund kanë ndërmarrë një nismë për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare. Riaktivizimi i opozitarëve, që sikur ranë në gjumë veror për javë të tëra, edhe pse në anën tjetër kreu i Republikës çdo ditë bombardonte opinionin me konferenca shtypi ku shpaloste e rikonfirmonte marrëzinë e tij territoriale, është i mirëpritur, por i pamjaftueshëm në formën se si e kanë bërë nismën e tyre. Mbajtja e një seance të jashtëzakonshme parlamentare dhe nxjerrja eventuale e një rezolute do të ketë vetëm efekt modest, prandaj partitë opozitare duhet të këmbëngulin që të shkojnë më tej. Kjo do të thotë që nuk mjafton vetëm ta diskutojnë problemin dhe ta dënojnë shkaktarin e problemit. Kuvendi duhet të jetë në gjendje ta largojë nga përgjegjësitë e larta kushtetuese personin aktualisht më problematik për stabilitetin e vendit-presidentin Hashim Thaçi. Deputetët duhet ta rikujtojnë betimin që e kanë bërë dhe nëse analizojnë me kujdes veprimet e deklarimet e kreut të shtetit, atëherë lehtësisht e kuptojnë se Kosovën po e udhëheq një president antikushtetues. Është mision i Kuvendit, por edhe i qytetarëve që duhet t'i japin mbështetje të zgjedhurve të tyre, në ndalimin e Thaçit. Presidenti duhet të shkarkohet ashtu siç e parasheh Kushtetuta, për t'i hapur rrugën normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve me Serbinë e jo shitjes së territorit të Kosovës për realizimin e interesave personale të Thaçit, fati i të cilit varet shumë nga Serbia dhe Gjykata Speciale, e furnizuar me fakte e dëshmi nga autoritetet serbe. Të rrezikosh pavarësinë që na e njohin në këta kufij mbi 100 shtete dhe që e ka konfirmuar edhe drejtësia ndërkombëtare, këtë mund ta bëjë vetëm një politikan i krisur e në hall, siç duket se është tashmë i pari i Kosovës.

 

(Kosova Sot)