Editoriali: Presidenti, këmbëkryq mbi Kushtetutë

  • 30 August 2018 - 17:28
Editoriali: Presidenti, këmbëkryq mbi Kushtetutë

 Politikanët kosovarë, por edhe secili qytetar që shqetësohet për fatin e Republikës, duhet ta shohë edhe një herë Kushtetutën e Kosovës, ku qartazi theksohet që në kreun e saj, se Kosova është vend sovran, i pandashëm dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt e nuk do të kërkojë të bashkohet me një shtet apo pjesë të një shteti. Nuk duhet të jesh jurist, për ta kuptuar se propozimet e presidentit tonë janë tërësisht antikushtetuese. Hashim Thaçi, që dikur shprehej kategorikisht kundër ndarjes dhe shkëmbimeve territoriale me Serbinë, sot është mbështetësi më i flaktë i këtyre ideve të rrezikshme. Kreu i vendit po kërkon që të marrë Luginën e Preshevës, që për dikë mund të jetë një shkëndijë e zjarrtë patriotike, por në fakt bie ndesh me Kushtetutën. Edhe pse nuk po e pranon, nën rrogoz, Thaçi duket se e ka shitur veriun e Kosovës, duke rënë sërish kështu ndesh me Kushtetutën e shtetit tonë. Bisedimet, që po vazhdojnë pa mbështetjen e Kuvendit dhe pa kurrfarë uniteti politik vendor, duhet të ndërpriten në mënyrë urgjente. Nëse përfaqësuesit e popullit pranojnë që të bisedohet për territore, që është një gjë shumë e dëmshme për Kosovën dhe çon ujë në mullirin e Serbisë e të Rusisë, atëherë së pari duhet ndryshuar Kushtetuta. Nuk mund të ketë asnjë diskutim apo marrëveshje, që e tejkalon hapur Kushtetutën e Republikës. Ajo që tash po shihet qartë është se për vite të tëra Hashim Thaçi, i mandatuar për të negociuar në një dialog teknik, ka shkuar më tej, duke biseduar për territorin që, sipas Kushtetutës sonë, është i pandashëm e i pacenueshëm. Nëse ka drejtësi dhe ligj, atëherë ky lider i papërgjegjshëm duhet të përballet me akuzën për tradhti kombëtare. Kosova nuk mund të mbetet peng i një njeriu të shantazhuar, i cili përgjatë gjithë karrierës së tij mashtroi shumëkënd, abuzoi, i pasuroi veten e familjen, klientelën kriminale e të korruptuar, ndërsa tash e ka parë se i ka ardhur fundi, prandaj edhe po tenton të bëjë pazarin më të shtrenjtë nga i cili sigurisht se do të dalë i humbur.

 

(Kosova Sot)