Editoriali:Thaçi i harroi të pagjeturit, krimet e luftës, dëmet miliardëshe!

  • 31 August 2018 - 17:04
Editoriali:Thaçi i harroi të pagjeturit, krimet e luftës, dëmet miliardëshe!

Në vlugun e përpjekjeve të Hashim Thaçit për ta bërë kurban Kosovën, për të shpëtuar lëkurën e tij, në Prishtinë familjarët marshuan në Ditën e të Pagjeturve, me shpresën e zbehur tashmë se do të zbardhet ndonjëherë fati i tyre. Presidenti bën çdo pazar të mundshëm me Vuciqin, por në fjalorin e tij nuk ka figuruar asnjëherë fjala "të pagjetur". Jo vetëm kaq, por kreu i Republikës, që e ka gojën plot demokraci, përkushtim ndaj ligjit e devotshmëri ndaj shtresave më të goditura, kurrë nuk i ka përmendur as krimet monstruoze që bëri Serbia në Kosovë. Presidenti ynë ka mundur të bisedojë ndoshta edhe për tema të rëndomta me homologun serb, por nuk I shkoi të paktën një herë në mëndje, të flasë për dëmet miliardëshe të luftës. Kaq inferior është sjellë, sidomos kohët e fundit, saqë kjo është tepër denigruese për shtetin tonë, që ka vuajtur pasojat e luftës. Në vend që të kërkojmë drejtësi për viktimat, dëmshpërblim për qytetarët e bizneset, ndodh e kundërta. Në saje të negociatorit tonë të kompromentuar e të shantazhuar, Kosova ka ardhur në ditën kur po i vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial. Si mund të flitet për një marrëveshje finale me Serbinë dhe askush nga krerët e shtetit nuk i përmendin disa nga çështjet kryesore që duhet të adresohen, si fati i të pagjeturve, krimet e luftës, dëmet e jashtëzakonshme! E përderisa ndodh kështu, që sakrifica e popullit tonë injorohet në mënyrë kaq flagrante, përse të mos mendojmë se Thaçi me bandën e tij po punojnë për interesat e Serbisë e po shkelin mbi ato të Kosovës. Ka vetëm një motiv të fortë, që mund ta shtyjë një lider shteti të bjerë kaq poshtë - frika e madhe nga diçka e kjo diçka dihet se kush është. Gjykata Speciale, që po rezulton të jetë tërësisht një mekanizëm politik, rri si hanxhar mbi kokat e vendimmarrësve në Kosovë, të cilët janë në gjendje të falin territor, të cenojnë sovranitetin shtetëror, vetëm e vetëm që të amnistohen. Kjo është një tragjedi e re për këtë vend dhe duhet ndalur sa më parë.

 

(Kosova Sot)