Editoriali: Sovrani ta rrëzojë sundimtarin që po e fal tokën e Kosovës

  • 03 September 2018 - 17:18
Editoriali: Sovrani ta rrëzojë sundimtarin që po e fal tokën e Kosovës

Opozita ka paralajmëruar protesta në vjeshtë, kundër planit të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, por kërkesa kryesore nuk duhet të përfshijë vetëm bllokimin e këtij skenari monstruoz. Opozita, shoqëria civile, qytetarët, duhet të bëhen bashkë për të kërkuar dorëheqjen e presidentit nga posti i tij. Me nismën e tij aventureske, kreu i Republikës është duke i shkaktuar dëme të pariparueshme vendit jo vetëm në aspektin politik e diplomatik. Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se investimet e huaja direkte kanë pësuar rënies 34 për qind në pesë muajt e parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë. Ekonomia po i vuan shumë pasojat e jostabilitetit, që burim kryesor aktualisht e ka presidentin e Kosovës, të ndihmuar kuptohet edhe nga një qeveri e paqëndrueshme, zhvatëse dhe e paaftë, si dhe një drejtësi e korruptuar dhe e pafuqishme për ta luftuar krimin e organizuar dhe mafinë politike. Hapja e debatit për kufijtë do të ketë efekte jashtëzakonisht negative brenda dhe jashtë vendit. Me këtë veprim, Thaçi i ka vënë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës, ndërsa këmbëngulja për të arritur marrëveshje me Vuçiqin, duke bërë pazare territoriale, është një marrëzi e rrallë në historinë e shqiptarëve, që të kujton vendimet e Ahmet Zogut, i cili u fali tokat shqiptare serbëve për interesat e tij pushtetore. Ngjashëm edhe presidenti kosovar po kurdis plane djallëzore në kurriz të popullit dhe territorit shtetëror, për të ruajtur karrigen e pushtetit, si të ishte një mbret. Për ta ndalur, nuk mjafton vetëm kundërshtimi i skenarit të Thaçit, por duhet kërkuar, pa kompromis, dorëheqja ose shkarkimi i tij nga posti që e mori në tymin e flakëve, gazit lotsjellës dhe kordonëve të policisë. Me gjasë, ky njeri, që as vetë ndoshta nuk e di sa miliarda i ka paluar me familjarët dhe klientelën e tij mafioze, do të detyrohet të ikë nga posti i presidentit në formën e njëjtë. Qytetarët duhet t'i japin fund regjimit, duke goditur pikërisht kokën kryesore, që po ua shton vuajtjet kosovarëve të varfëruar çdo ditë e më shumë.

 

(Kosova Sot)